Krasniqi shprehu mirënjohje për kontributin e De Marnhac
Prishtinë, 24 janar - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në një takim, Xavier De Marnhac, kryesues i Misionit të EULEX-it në Kosovë, në përfundim të mandatit të tij.
Me këtë rast kryekuvendari Krasniqi i shprehu mirënjohje De Marnhac për kontributin e tij në krye të këtij misioni , por edhe më parë si komandant i KFOR-it.
Kreu i legjislativit të vendit, njëkohësisht shprehu mirënjohje edhe ndaj shtetit të Francës për gjithë atë që ka bërë e bën për të mirën e Kosovës.
Në vijim ai i bëri një vështrim të gjerë angazhimit të Kuvendit të Kosovës në aprovimin e ligjeve, si dhe të punës që bëhet për zbatimin e tyre, duke u ndalur posaçërisht në bashkëveprimin e frytshëm të Kuvendit të Kosovës dhe të institucioneve euroatlantike në procesin e sundimit të ligjit në Kosovë.
Në këtë frymë, kryekuvendari Krasniqi tha se rruga e Kosovës drejt integrimeve atlantike nuk ka alternativë.
Xavier De Marnhac, pasi falënderoi për pritjen që iu bë, theksoi se ka qenë i angazhuar me përkushtim të madh në këtë mision, duke pasur gjithnjë para sysh që funksioni dhe puna e EULEX-it të jetë në të mirë të qytetarëve të Kosovës.
Ai tha se me gjithë vështirësitë, gjatë këtyre viteve është bërë punë e frytshme në Kosovë.
Duke folur për rezultatet që i ka shënuar Kosova , ai vlerësoi sidomos përfundimin e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare të Kosovës.
Në këtë frymë ai uroi kryekuvendarin dhe shtetin e Kosovës për të arritura të mëtejme në të gjitha aspektet.
Në fund të takimit, kryetari i Kuvendit Krasniqi, në shenjë kujtimi, i dhuroi një dhuratë modeste, z. De Marnhac.