Krasniqi: Pse askush nuk po i përgjigjet Gjuriqit
Prishtinë, 11 gusht - Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi përmes një postimi në rrrjetin sociale Facebook ka shprehur habinë e tij me zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, të cilët nuk po i përgjigjen Marko Gjuriqit dhe zyrtarëve të tjerë serbë.
Shkas i këtij reagimi të Krasniqit është bërë deklarata e shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili ka thënë se nuk beson në kapacitetin administrativ, por as në qëllimin e sinqertë të Prishtinës për të ndëshkuar autorët e krimeve të UÇK-së.
Është interesant, rrallë herë për të mos thënë asnjëherë, qeveritarët tanë nuk e gjejnë rastin që ta marrin mundin për tju kundërvë, zyrtarëve të lartë serbë apo qeveritarëve, kur ata hedhin akuza të ndryshme në adresë të Kosovës, te institucioneve dhe te qytetarëve të saj, ka shkruar Krasniqi në profilin e tij në Facebook.
Kur ata, qeveritarët tanë (Kryeministri e ministrat), kanë fakte e dëshmi të shumta për tu treguar atyre se cilat janë kapacitetet e tyre administrative për tu marr me krimin dhe sa të sinqertë janë ata për tu besuar, sidomos ne shqiptaret. Kësaj i thonë: Ti them sa nuk me kanë thënë, thotë Krasniqi.
Krasniqi ka shtuar se zyrtarëve serbë duhet thënë pa pardon, se ata kanë me bollëk vetëm kapacitete për të ushtruar krim dhe gjenocid ndaj të gjithë atyre që nuk janë serbë.
Këtë e kanë treguar si ndaj kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve dhe jo vetëm në luftërat e fundit te shekullit XX dhe ende nuk janë të gatshëm që ti pranojnë krimet dhe gjenocidin që e kanë ushtruar për të kërkuar falje. Ata duhet të dëshmojnë se janë ndryshe nga pararendësit e tyre. Nëse qeveritarët nuk dinë, pasi ata e dinë sesi janë gjetur aty ku janë, le ta kërkojnë ndihmën e njerëzve të ditur. Në Kosovë mund të gjinden njerëzit e ditur, por duhet pasur vullnet për ti gjetur, ka deklaruar Krasniqi.