Krasniqi, priti shefin e OSBE-së në Kosovë, Almhofer
Prishtinë, 12 shtator - Ndonëse nuk janë arritur të gjitha objektivat e dëshirueshëm, sukseset e arritura nuk do të mund të realizoheshin pa ndihmën e OSB-së
Bashkëpunimi dhe ndihma e OSBE-së do të vazhdojë edhe në të ardhmen
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, kishte sot një takim lamtumirës me shefin e OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Verner Almhofer.
Duke i uruar suksese të reja në punën që e pret, Krasniqi e falënderoi ambasadorin Almhofer për ndihmën e deritashme. Gjatë takimit, kreu i Kuvendit po ashtu vlerësoi: Ndonëse nuk janë arritur të gjitha objektivat e dëshirueshëm, sukseset e arritura nuk do të mund të realizoheshin pa ndihmën e OSB-së.
Në vijim, kryeparlamentari foli edhe për punën e Kuvendit, me theks të veçantë për angazhimin që është bërë në miratimin e ligjeve për heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë. Duke e njoftuar për sfidat me të cilat aktualisht përballet Kuvendi, kryeparlamentari e njoftoi ambasadorin Almhofer me ecurinë e miratimit të Reformës Zgjedhore. Për këtë, ai tha se duhet vullnet më i madh politik. Duke shpresuar në anëtarësim sa më të shpejtë të Kosovës në OSBE, Krasniqi shprehu bindjen se ambasadori Almhofer, do të vazhdojë të ndihmojë Kosovën edhe nga pozicioni i ri që do të ketë në kuadër të Drejtoratit për Zgjerim të OSB-së.
Ambasadori i OSBE-së, Verner Almhofer, duke e falënderuar kryeparlamentarin për bashkëpunimin gjatë këtyre viteve, po ashtu e siguroi atë se bashkëpunimi dhe ndihma e OSBE-së do të vazhdojë edhe në të ardhmen nga përfaqësuesi i ri i OSB-së.