Krasniqi priti përfaqësuesit e misionit të FMN-së në Kosovë
Prishtinë, 25 mars - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, priti sot në takim shefin e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Kosovë, Jacques Miniane dhe përfaqësuesin rezident për Kosovën, Jose Sulemane, me të cilët bisedoi për zhvillimet aktuale në sektorin financiar në Kosovë.Shefi i misionit të FMN-së në Kosovë, Miniane, u fokusua te vendimet e fundit të qeverisë dhe projektligjet në procedurë, në bazë të të cilave parashihet ngritje e shpenzimeve buxhetore, si dhe te implikimet financiare të tyre në raport me zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik të vendit.
Miniane shtroi çështjen e akomodimit në buxhetin e shtetit, të shpenzimeve që bartin këto vendime dhe ligjet përkatëse, si dhe të rolit të Kuvendit në këtë proces. Ai u interesua edhe për datën e mundshme të zgjedhjeve parlamentare dhe kohën e rishikimit eventual të buxhetit për vitin 2014.
Kreu i Kuvendit të Kosovës, Krasniqi, shprehu përkushtimin e tij për ruajtjen e stabilitetit financiar të Kosovës dhe shpenzime adekuate të mjeteve të taksapaguesve.
Buxheti është i të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe të gjithë e kanë të drejtën e shfrytëzimit, në bazë të mundësive, theksoi kryeparlamentari Krasniqi.
Duke çmuar marrëdhëniet e mira me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, kryetari Krasniqi shprehu interesimin për ta vazhduar këtë bashkëpunim edhe në të ardhmen, në funksion të ruajtjes së stabilitetit fiskal të vendit.