Krasniqi priti një delegacion nga Bundestagu gjerman
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot një delegacion nga Bundestagu gjerman, të kryesuar nga z. Steffen- Claudio Lemme. Gjatë takimit, mysafirët nga Gjermania e njoftuan kryeparlamentarin Krasniqi për ecurinë e përzgjedhjes së praktikantëve që do të jenë përfitues të bursës, të cilat Bundestagu gjerman do tua ndajë studentëve nga Kosova. Kryeparlamentari Krasniqi, ndërkaq, nga ana e tij falënderoi ata dhe çmoi lartë rëndësinë e praktikës të cilën të rinjtë kosovarë do të përfitojnë në Bundestagun e Gjermanisë.
Kryeparlamentari Krasniqi, falënderoi shtetin gjerman për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës, ndërsa me theks të veçantë foli për bashkëpunimin shumë të mirë në mes të dy kuvendeve, përkatësisht Bundestagut dhe Kuvendit të Kosovës. Ai po ashtu u angazhua që këto marrëdhënie shumë të mira të ruhen dhe të avancohen edhe më shumë në të ardhmen.
Duke falënderuar për mundësinë të cilën Bundestagu gjerman ua ofron të rinjve kosovarë, kryeparlamentari Krasniqi u zotua se atyre do tu krijohen mundësi edhe në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që përvojat e Bundestagut të jetësohen edhe në Kuvendin e Kosovës.
Në këtë takim u fol edhe për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor që është duke u zhvilluar në Kosovë. Lidhur me këtë, bashkëbiseduesit u angazhuan për pjesëmarrje sa më të madhe të votuesve në zgjedhjet e nëntorit.