Krasniqi priti ndihmësen e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Sultanoglu
Prishtinë, 3 shkurt - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në takim ndihmësen e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, ndihmëse e administratorit të UNDP-së dhe drejtoreshë e Byrosë Rajonale për Evropë dhe Bashkësinë e Shteteve të Pavarura (CIS), Cihan Sultanoglu.
Ai me të bisedoi për bashkëpunimin e deritashëm ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe UNDP-së, si dhe evidentimin e fushave në të cilat do të fokusohej mbështetja e kësaj organizate në të ardhmen.
Kryeparlamentari Krasniqi ka çmuar lart ndihmën që UNDP-ja i ka ofruar Kuvendit të Kosovës gjatë viteve të fundit, duke e konsideruar atë me vlerë të madhe për legjislativin, si përfitues i drejtpërdrejt i këtij bashkëpunimi.
Duke identifikuar fushat në të cilat Kuvendi ka përfituar falë kësaj mbështetjeje, Krasniqi ka veçuar sferën e legjislacionin dhe atë të bashkëpunimit me shoqërinë civile, si segmente kryesore të mundshme të bashkëpunimit në të ardhmen.
Zyrtarja e lartë e OKB-së, Sultanoglu, ndërkaq, është shprehur krenare për punën që është bërë bashkërisht ndërmjet UNDP-së dhe Kuvendit të Kosovës. Ajo ka shfaqur interesimin për ta vazhduar këtë bashkëpunim edhe në të ardhmen.