Krasniqi priti ambasadorin e ri te Maqedonisë në Kosovë, Strashevski
Prishtinë, 15 janar - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot, në një takim njohës ambasadorin e ri të Republikës së Maqedonisë në Kosovë, Ilija Strashevski, me të cilin ka biseduar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe për nevojën e thellimit të bashkëpunim të ndërsjellë.
Duke e uruar për detyrën e re në krye të Ambasadës së Maqedonisë në Kosovë, Krasniqi i ka vlerësuar shumë të mira marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.
Është e përbashkët rruga e Kosovës dhe e Maqedonisë për tu anëtarësuar në BE dhe në NATO, ndaj është e qartë dhe e domosdoshme edhe nevoja për tu mbështetur reciprokisht në këtë rrugëtim , është shprehur Krasniqi, i cili ka parë mundësi të gjera dhe të pashfrytëzuara për thellimin e bashkëpunimit në shumë lëmenj të jetës, në interes të qytetarëve të të dy vendeve. Na lidh e kaluara e përbashkët për një kohë të gjatë në kuadër të Perandorisë turke dhe të Federatës jugosllave, në të mirë e në të keq, të cilën nuk mund ta zhbëjmë, por mund ta ndryshojmë të sotmen dhe të nesërmen e popujve tanë, është shprehur Krasniqi.
Ambasadori i sapo emëruar i Republikës së Maqedonisë në Kosovë, Ilija Strashevski, i ka quajtur të shkëlqyeshme marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, duke u zotuar se do të angazhohet me gjithë kapacitetin e tij që ato të thellohen edhe më.
Ai e ka pohuar se në vendin e tij çmohet lart lidershipi i kreut të Kuvendit të Kosovës për debatin e shëndetshëm të instaluar në institucion, si për çështje ligjore ashtu edhe për çështje ekonomike, politike e sociale. Duke konstatuar se tanimë ndërmjet dy vendeve janë nënshkruar 23 marrëveshje të ndryshme, të cilat po japin fryte në interes të qytetarëve të dy vendeve, ai ka pohuar se do të angazhohet seriozisht për bashkëpunim ndërmjet institucioneve shtetërore të të dy vendeve, duke e përmendur në këtë kuadër edhe një vizitë të kryeparlamentarit Krasniqi në Parlamentin e Maqedonisë.