Krasniqi përpiqet të krijojë një subjekt të ri politik
Prishtinë, 25 shkurt - Jakup Krasniqi po përpiqet të krijojë një subjekt të ri politik, duke rekrutuar zyrtarë të PDK-së që janë të pakënaqur me lidershipin aktual.
Burime të Express thonë se kryetari i Parlamentit këtë ide ua ka shpalosur disa deputetëve. Në PDK thonë se nuk dinë gjë për lëvizjet e Krasniqit, por pranojnë se ai po e sfidon seriozisht partinë.
Jakup Krasniqi nuk e ka ndërmend vetëm të hedhë akuza ndaj udhëheqësve të Partisë Demokratike të Kosovës.
Ish-Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së ka plane konkrete për ta luftuar Hashim Thaçin dhe njerëzit e tij.
Burime të Express thonë se Krasniqi po synon krijimin e një subjekti të ri politik, përmes rekrutimit të anëtarëve të PDK-së, të cilët, ashtu sikurse ai, janë të pakënaqur me lidershipin e PDK-së.
Krasniqi po takon kolegë të tij partiakë, deputetë, por edhe intelektualë të paangazhuar deri më tash në politikë. Ideja e tij është krijimi i një partie të re politike, por që në thelb do të kishte synimet dhe qëllimet e njëjta me ato të PDK-së së vërtetë, asaj PDK-je për të cilën ka punuar aq shumë armatë e tërë njerëzish, e që sot janë zëvendësuar nga servilë të Thaçi, ka thënë një bashkëpunëtor i afërt i Krasniqit në kushte anonimiteti për Express.