17 Maj 2024

Krasniqi: Përgjimet treguan karakteret e tyre të vërteta

Prishtinë, 1 dhjetor - Në jetën time politike, prapaskenat kurrë nuk kanë qenë as formë, as praktikë përbuzëse për punën e shokëve me të cilët kam bashkëpunuar e bashkëluftuar, me ata që jo pak na ka ndarë fija aq e hollë midis jetës dhe vdekjes.

Kështu është shprehur kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në një reagim dërguar mediave në lidhje me përgjimet e zyrtarëve të PDK-së të publikuara në media ditëve të fundit, ku si cak kryesor i bisedave të tyre, ka qenë pikërisht Krasniqi.

“E ndiej për obligim t’i përgjigjem opinionit publik lidhur me përgjimet e publikuara në mediet e shkruara dhe elektronike, por edhe në rrjetet e shumta sociale, ku i apostrofuar dhe i sulmuar verbalisht, me një fjalor tejet primitiv jam edhe unë, Kryetari i Kuvendit të Kosovës."

"Në gjithë veprimtarinë time politike publike kam qenë transparent, i vendosur, i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë. Kështu do të vazhdoj edhe në të ardhmen, pa marrë parasysh çka mendojnë rivalët apo kundërshtarët e mi politikë, qofshin ata edhe brendapërbrenda partisë sime - PDK-së”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka theksuar se publikimi i përgjimeve telefonike, me emrat e personaliteteve të skenës politike të Kosovës, pa marrë parasysh a janë të vërteta apo të falsifikuara, kanë skandalizuar të gjithë ata që i kanë dëgjuar.

“Nëse janë të falsifikuara akterët e apostrofuar në këto biseda mund të ngrisin padi kundër falsifikatorëve. Ndërsa, nëse janë autentike, nuk habitem dhe skandalizohem, sepse jam i vetëdijshëm që bisedat private, jashtë kamerave dhe publikut nxjerrin në shesh karakteret e vërteta të tyre, sidomos të personaliteteve publike që kanë frustracione të shumta nga pamundësia që të imponojnë pikëpamjet e tyre në skenën publike."

"Unë nuk merrem as me njerëzit që falsifikojnë gjëra, as me bisedat private të personaliteteve publike, qoftë edhe në rastet kur dikush ua bën publike jetën private, nëse mund të jetë brenda kornizave të privacisë ajo që u dëgjua”, ka thënë më tej kryekuvendari Krasniqi, njofton Zëri.

Funksioni im politik, siç thekson Krasniqi, ka për qëllim realizimin e të gjitha aspiratave tona politike, ekonomike, shoqërore për ç’gjë kam marrë besimin nga qytetarët e Kosovës.

“Gjatë jetës sime politike 39-vjeçare jam përpjekur të respektoj bashkëveprimtarët e bashkëmendimtarët e mi, kam respektuar njerëzit me të cilët kemi pasur mendime e qëllime të njëjta, por në të njëjtën kohë respektoj të gjitha mendimet ndryshe nga të miat, sepse jam i vetëdijshëm se fryma e debatit dhe e tolerancës (pa ofendime ndaj mendimtarëve që nuk mendojnë si unë), krijon një atmosferë të shëndetshme për demokracinë në Kosovë dhe jep shembull të mirë të edukimit politik, intelektual, atdhetar e demokratik për gjeneratat e reja”, ka theksuar Krasniqi.

“Së këndejmi, rolin tim në jetën private përpiqem ta realizoj ndershmërisht, në përputhje me obligimet e mia si bashkëshort, baba, vëlla, shok e mik”, theksohet në deklaratën e kryekuvendarit Krasniqi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)