Krasniqi: Pakicat shtojnë bashkëpunimin ndërmjet shteteve
Prishtinë, 12 mars - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në takim ish-presidentin e Republikës së Kroacisë, Stipe Mesiq, me të cilin bisedoi për situatën politike në Kosovë, marrëdhëniet Kosovë-Kroaci dhe, me theks të veçantë, për integrimin evropian të Kosovës e të rajonit.
Kryetari Krasniqi duke e vlerësuar mbështetjen e deritashme të Kroacisë për Kosovën, potencoi nevojën e përkrahjes së mëtutjeshme nga ana e Zagrebit zyrtar, në zgjerimin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe në procesin e integrimit euroatlantik.
Kryeparlamentari bëri një përshkrim të punës së Kuvendit të Kosovës e të përfaqësimit partiak, me theks të veçantë, të komuniteteve pakicë dhe hapësirës që ato kanë.
Edhe ish-presidenti kroat Mesiq, potencoi rëndësinë e një angazhimi të vazhdueshëm për njohje të tjera për Kosovën dhe në procesin e integrimit në strukturat euro-atlantike.
Në takim u fol edhe për komunitetin kroat në Kosovë, me çrast, kryetari Krasniqi theksoi se pakicat nuk janë problem për Kosovën, përkundrazi.
Sipas tij, ato shtojnë komunikimin dhe bashkëpunimin ndërmjet shteteve.
Ish-presidenti kroat, ndërkaq, vlerësoi rolin e shqiptarëve në Kroaci dhe foli për arritjet e tyre atje.