Krasniqi nuk shkon në PDK
Prishtinë, 15 shkurt - Më shumë se dy javë pas mbajtjes së Kuvendit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), sot do të mblidhet për herë të parë Këshilli i ri Drejtues i kësaj partie, por sekretari i deritashëm, Jakup Krsniqi nuk do të marrë pjesë.
Ai i ka thënë Zërit se nuk është i interesuar të shkojë në parti dhe të merret me çështje të partisë. Këto ditë u kam dhënë prioritet funksioneve shtetërore- pesëvjetorit të pavarësisë, ka thënë ai.
Sipas tij, çështjeve të partisë nuk po u jap e as nuk dua të merrem me spekulimet e mediatizuara rreth funksionit tim në parti, për çka dhe nuk jam i interesuar.
Për atë çështje kam thënë qëndrimin tim. Në javën tjetër do ta riinformoj opinionin, ka thënë Krasniqi.
Takimi në fakt do të jetë vetëm ceremonial, por ai nuk do ti zgjedhë anëtarët e rinj të kryesisë së PDK-së, dhe as sekretarin e përgjithshëm, ashtu siç është paralajmëruar më parë.
Lista përfundimtare me anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues të partisë më të madhe në vend, është publikuar më 30 janar të këtij viti, pas zgjedhjeve të brendshme të cilat janë hapur me Kuvendin e 26 janarit.
Koordinatori për zgjedhje në Partinë Demokratike të Kosovës, Basri Musmurati, e ka konfirmuar se takimi do të mbahet të premten, por ai ka mohuar se në këtë takim do të zgjidhen organet e partisë.
Nesër (e premte) nuk do ta zgjedhim kryesinë, nesër kemi një konstituim të Këshillit Drejtues të partisë, sepse i kemi marrë të gjitha të dhënat për të gjithë anëtarët sa i kemi, do të takohemi, sigurisht do të pimë nga një kafe dhe sigurisht do ti urojmë ata që janë zgjedhur për herë të parë, edhe takimi është në prag të përvjetorit të pesë jubilar. Këto janë arsyet që mblidhet Këshilli Drejtues, ka thënë ai.
Disa ditë më parë Musmurati ka deklaruar se statusi i partisë e parasheh që para se të zgjidhen anëtarët e kryesisë së PDK-së, do të zgjidhet Sekretari i Përgjithshëm, ndërsa krejtësisht në fund kryetari i partisë, Hashim Thaçi, zgjedh nënkryetarët e tij.
Por, të enjten ai ka deklaruar se ky skenar mund të ndërrojë.
Varet nga Këshilli Drejtues se si vendosë sepse gjithnjë aty vendoset me vota, për çdo vendim që merret dhe sigurisht që do të zgjidhet edhe kryesia, edhe sekretari i përgjithshëm, ndërkohë do të zgjidhen edhe nënkryetarët, është shprehur ai.
Sikurse Kuvendi i Partisë Demokratike të Kosovës, edhe zgjedhjet e mëpasshme të anëtarëve të Këshillit Drejtues, janë bojkotuar nga Sekretari i Përgjithshëm i kësaj parti, Jakup Krasniqi, i cili në këtë formë e ka shprehur paanësinë e tij me menaxhimin e partisë nga Thaçi.
Përveç tij, në Kuvend ka munguar edhe nënkryetari i parë, Fatmir Limaj, i cili aktualisht është i paraburgosur për rastin e Ministrisë së Transporteve.
Ndërkaq, pas numërimit të votave për anëtar të Këshillit Drejtues, ka ndryshuar rrënjësisht radhitja e anëtarëve më të votuar. Listës i prinë Kardri Veseli, Limaj radhitet i dhjeti ndërsa Krasniqi i tridhjetegjashti.