Krasniqi: Nuk këkoj mbështetje nga askush
Prishtinë, 22 dhjetor - Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi ka shkruar në rrjetin e tij social Facebook, se nuk do të kërkoj mbështetje e as përkrahje nga askush, për siç thotë, shpifjet, kurdisjet e kombinimet e pista të ndonjë organizimi mafioz.
Ai këto komente i ka bërë pas marrjes në pyetje nga një prokuror i prokurorisë speciale të EULEX-it, si i dyshuar për krime lufte në Likoc të Skenderajt, gjatë viteve 1998-1999.
Krasniqi ka shtuar se në asnjë rast të veprimit të tij politik, madje edhe në kohën kur ka qenë në burg nuk e kanë shtyrë atë që të bëjë veprime që bien ndesh me ligjet ndërkombëtare dhe normat e traditës kombëtare.
Deklararat e plotë të Krasniqit në Facebook:
Për angazhimin tim politik dyzetvjeçar në shërbim të kombit e të atdheut, për çdo veprim a mos veprim timin në çdo etapë të këtij angazhimi e veprimi me përkushtim, nga askush e më nga askush nuk kërkoj mbështetje a përkrahje e më se paku e kërkoj këtë mbështetje për shpifjet, kurdisjet e kombinimet e pista të ndonjë organizimi mafioz. Jam më se i bindur se në asnjë fazë të veprimit tim politik, përfshirë edhe veprimet e mija në luftën çlirimtare nuk ka e nuk mund të gjendet asnjë veprim që ka rënë ndesh me ligjet ndërkombëtare të luftës a normën e traditës sonë kombëtare. Edhe vitet e burgut, në shpirtin tim e kanë forcuar humanizmin dhe dhembshurinë\", ka shkruar ai.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi ka shkruar se sigurisht që këtë ma ka mundësuar edukimi im familjar dhe atdhetar, të marr me dashuri nga mendjet më të ndritura të kombit e pse jo edhe nga mendjet më te ndritura të lëvizjeve revolucionare botërore e të mendimit politik botëror.
\"I falënderohem edhe Zotit që më ka lindur dhe mi ka hapur rrugët e veprimit atdhetar, të njerëzishëm e human për ti shërbyer me devotshmëri kombit dhe atdheut tonë dhe jo vetëm atëherë kur kërkohen e gëzohen privilegjet, ka shkruar Krasniqi në profilin e tij në Facebook