Krasniqi: Ministrinë e Kulturës e gjeta si degë të LDK-së
Ai në një intervistë për Epokën e Re, ka thënë se LDK-ja po akuzon për shkak se deri më tani këtë ministri e ka shfrytëzuar si të ishte degë e saj, duke instaluar njerëz të paarsimuar, militantë e familjarë. LDK-ja Ministrinë e Kulturës e ka konsideruar sikur të ishte degë e vet, asnjëherë si institucion publik.
Këtu janë instaluar në mënyrë të paligjshme njerëz partiakë, militantë e familjarë të udhëheqësve të partisë, pa e respektuar ligjin dhe pa i respektuar procedurat, jashtë çdo koncepti administrativ. Akuzat e tyre janë tendenca për ta politizuar një proces të vendosjes së rendit dhe ligjit në këtë ministri, tha ai.
Ai ka thënë se ekspertët e LDK-së dhe vet LDK-ja po e keqpërdorë për qëllime partiake edhe figurën e ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Ata po tregojnë mungesë të respektit për presidentin Rugova. Pyetja ime për LDK-në do të ishte: Çfarë keni bërë ju për presidentin Rugova? Çfarë ka bërë LDK-ja për Rugovën? Cilat vepra ia keni botuar deri më sot? Cilat ndere e merita ia keni bërë? Krejt çka kanë bërë me vite të tëra për presidentin Rugova është keqpërdorimi i emrit të tij, është shprehur Krasniqi.