29 Prill 2024

Krasniqi merr mbështetje të fuqishme të Berlinit

Prishtinë, 3 dhjetor - Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga kryetari, dr. Jakup Krasniqi, është kthyer sot nga vizita zyrtare në Gjermani, ku qëndroi për tre ditë, me ftesë të presidentit të Bundestagut, Norbert Lammert.

Në një konferencë për media në Aeroportin “Adem Jashari”, pas kthimit, kryetari Krasniqi e vlerësoi këtë vizitë dhe takimet në Gjermani mjaft të rëndësishme, gjatë të cilave është konfirmuar edhe njëherë mbështetja e fuqishme e Berlinit zyrtar për proceset politike në Kosovë.

“Morëm premtime të fuqishme se Gjermania do të mbështesë Kosovën në të gjitha instancat e Bashkimit Evropian, në rrugën e liberalizimit të vizave e të integrimit euro-atlantik të saj”, theksoi kryetari Krasniqi, duke shtuar se edhe Kosova, nga ana e saj, ka detyra dhe obligime, në rend të parë ndaj qytetarëve të saj, sa i përket zbatueshmërisë së rendit e ligjit në gjithë hapësirën e vendit, si dhe luftën kundër dukurive negative.

Kreu i Kuvendit u ndal edhe në takimet me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Jashtme gjermane dhe asaj të Mbrojtjes, si dhe diplomatin Wolfgang Ischinger.

“I informova për të gjitha zhvillimet që po ndodhin në Kosovë, duke e konfirmuar edhe njëherë alternativën e vetme të Kosovës, integrimin në BE”, u shpreh kryetari i Kuvendit.

Kryetari Krasniqi bëri të ditur së gjatë vizitës, gjithashtu, ka zhvilluar takime edhe me kompani të fuqishme të konsulencës, të cilat janë shprehur të gatshme të vijnë në Kosovë dhe të ndihmojnë institucionet e Kosovës sa i përket konsultave në fushën e energjetikës.

Ai tha se do të ishte në interesin e Kosovës që të ketë marrëdhënie të mira me kompani gjermane dhe investitorë të tillë.

Gjatë kësaj vizite, në përbërje të delegacionit ishin edhe Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit, Vjosa Osmani, anëtare e Komisionit për Integrime Evropiane, Donika Kadaj-Bujupi, anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme, Bilall Sherifi, këshilltar i lartë politik i kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe Skender Reçica, këshilltar për protokoll dhe marrëdhënie ndërkombëtare.
 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)