05 Maj 2024

Krasniqi: Kosovës i duhet një president ceremonial

Prishtinë, 28 shkurt - Ka filluar punimet konferenca rajonale me titull: “Kompetencat dhe roli i Presidentit në përcaktimin e modelit të Qeverisjes në Republikë - Mësimet dhe përvojat regjionale”, e organizuar nga Instituti për Studime Kushtetuese dhe Parlamentare (ISKP) në bashkëpunim me Friedrich Erbert Stiftung (FES) dhe Komisionin për Amandamentimin e Kushtetutës.

Në këtë konferencë e cila po organizohet në kuadër të aktiviteteve të Komisionit për Amandamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kanë mbaruar punimet e sesionit të parë nga tri sesionet e parapara të zhvillohen gjatë ditës.

Në hapjen e kësaj konference i pranishëm ishte edhe Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili tha se modeli i qeverisjes në Kosovë duhet të jetë Republikë Parlamentare me një president më shumë  ceremonial dhe me fuqi më të madhe në vendime.

Sipas kryetarit të Kuvendit, në përvojën e shkurtër parlamentare të Kosovës, zgjedhja e presidentit, në vazhdimësi ka prodhuar vështirësi, për të mos thënë edhe kriza.

“Jam i bindur që Kosovës i duhet një president ceremonial dhe Republika e Kosovës duhet të saktësohet si Republikë parlamentare, me pushtete të ndara dhe të balancuara. Nëse arrijmë që në kushtetutën tonë t’i ndajmë pushtetet dhe t’i balancojmë ato, do të krijojmë kushte për një shëndet më të mirë të demokracisë në Kosovë”, tha kryeparlamentari Krasniqi.

Kreu i legjislativit theksoi se qëllimi i ndryshimeve kushtetuese duhet të jetë saktësimi i detyrave dhe i përgjegjësive të presidentit, detyrave dhe përgjegjësive të Kuvendit, si institucioni më i lartë legjislativ, dhe fuqizimi i kryeministrit në fushën e ekzekutivit.

Në anën tjeter Kryetari i Komisionit parlamentar për ndryshimet kushtetuese, Arsim Bajrami, duke folë për punën e Komisionit, tha që është duke u punuar në definimin e qartë të kompetencave në mes të Presidentit dhe Kryeministrit.

“Kjo konferencë do të nxjerrë konkluzione shumë të rëndësishme të cilat do të hyjnë në funksion Komisionit Kushtetues dhe do të na mundësojnë që të përcaktojmë zgjidhje funksionale, të cilat do të marrin parasysh praktikat e mira në shtete të ndryshme, por edhe nevojat e Kosovës, në mënyrë që të bëhet një kombinim i këtyre përvojave me realitetin në vend”, u shpreh Bajrami.

Ambasadori gjeman në Kosovë, Ernest Reichel, tha se pas vendimit të lidershipit të Kosovës që presidenti të zgjidhet drejtëpërdrejtë nga populli, kjo nënkupton edhe kompetenca shtesë për të.

Në sesionin e parë të kësaj konference përveç panelistëve me fjalë kryesore u paraqit ish-Presidenti i Republikeës së Shqipërisë, Rexhep Mejdani, i cili në fjalimin e tij u fokusua në kompetencat e Presidentit të aplikuara në vendeve të ndryshme, në vecçanti të atyre të rajonit.

Ai me këtë rastë tha se dobësimi i rolit të presidentit ndikon në pamundesinë e zgjidhjes së krizave politike.

Konferenca po i vazhdon punimet me sesionin e dytë ku po diskutohet për kompetencat e presidentit në raport me politikën e jashtme, që përveç panelistëve me një fjalë do të paraqitet edhe ish-Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu. Ndërsa në sesionin e tretë do të diskutohet për kompetencat e Presidentit në raport me politikat e sigurisë, ndërsa me një fjalë do të paraqitet ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)