Krasniqi kërkon të përshpejtohet procedimi i projektligjeve
Prishtinë, 28 maj - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ka takuar sot kryetarët e komisioneve parlamentare me qëllim të përshpejtimit të shqyrtimit dhe procedimit të projektligjeve nga komisionet për miratim në Kuvend.
Aktualisht në procedurë të shqyrtimit nëpër komisione gjenden 22 projektligje, prej tyre: pesë projektligje të gatshme për shqyrtim dytë, katërmbëdhjetë projektligje janë të miratuara në parim dhe gjenden në procedurën e shqyrtimit në komisione parlamentare dhe tri projektligje presin shqyrtimin e parë.
Duke konstatuar se njëmbëdhjetë projektligje kanë tejkaluar afatin e paraparë me Rregulloren e Kuvendit, kryeparlamenari Krasniqi ka kërkuar angazhim më të madh të komisioneve parlamentare për përshpejtimin e shqyrtimit dhe të procedimit të projektligjeve, për miratim në Kuvend.
Ai ka kërkuar gjithashtu nga komisionet e përhershme që raportet e komisioneve funksionale ti shqyrtojnë brenda afatit të paraparë me Rregulloren e Kuvendit.
Kreu i Kuvendit është shprehur i pakënaqur edhe me pjesëmarrjen e kryetarëve të komisioneve në takimin e sotëm (nga 13 komisione të rregullta që ka Kuvendi, merrnin pjesë vetëm pesë kryetarë të tyre), shumica prej tyre pa e arsyetuar mungesën në takimin e ftuar.
Kryetarët e komisioneve, pjesëmarrës në takim, kanë raportuar për punën e komisioneve që i udhëheqin, për numrin e projektligjeve të shqyrtuara dhe të amendamentuara, si dhe për vështirësitë me të cilat ballafaqohen në punën e tyre.
Në funksion të mbarëvajtjes së procedimit të projektligjeve ata kanë sugjeruar që në situata kur ka qëndrime të kundërta lidhur me përputhshmërinë e projektligjeve me Kushtetutën e vendit apo e me mekanizma relevantë ndërkombëtarë, të mblidhen bashkë komisioni i përhershëm dhe komisionet funksionale për projektligjin e dhënë, që të gjenden zgjidhjet më të mira.
Ata kanë konstatuar se në vendin tonë janë krijuar numër tepër i madh i rregullatorëve të ndryshëm dhe i agjencive të pavarura (më shumë se në vendet e tjera të rajonit), të cilat në mungesë të rregullativës për funksionimin e tyre dhe përgjegjësitë, si dhe në mungesë të Ligjit për pagat e zyrtarëve të lartë publikë, i shkaktojnë vështirësi shtesë Kuvendit, të cilit i raportojnë, por e dëmtojnë edhe buxhetin e Kosovës.
Ka pasur propozime nga kryetarët e komisioneve që të zvogëlohet numri i agjencive të pavarura, duke i fuzionuar nga dy e më shumë sish, kur kanë veprimtari të natyrave të përafërta.