Krasniqi kërkon mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në OKB
Londër, 2 shkurt - Me ftesë të Asociacionit Parlamentar të Komonveltit Britanik, delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga kryetari i Kuvendit , Jakup Krasniqi, në përbërje të të cilit janë edhe anëtari i Kryesisë, Ibrahim Gashi, shefi i Kabinetit të kryetarit , Mehmet Hajrizi dhe këshilltari për marrëdhënie me jashtë, Skënder Reçica, sot mori pjesë në punimet e Konferencës Ndërkombëtare Parlamentare mbi Ndërtimin e Paqes, e cila po mbahet në Londër.
Qëllimi i kësaj Konference është forcimi i rolit të parlamentarëve në promovimin e paqes së qëndrueshme, sigurisë dhe zhvillimit.
Në mesditë, delegacioni, i shoqëruar edhe nga ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Muhamet Hamiti, pati një pritje shumë të ngrohtë dhe miqësore te kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, zoti John Bercow.
Në takim kryetari Krasniqi falënderoi për mikpritjen dhe për mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Kosovës në të gjitha planet.
Në mënyrë të veçantë ai theksoi përkrahjen e argumentuar që Mbretëria e Bashkuar i ka bërë pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Pas shpalljes së Pavarësisë, tha zoti Krasniqi, Kosova është kthyer nga një vatër potenciale e krizave të vazhdueshme në një faktor serioz të paqes dhe stabilitetit rajonal. Në Kosovë ka siguri, klimë politike stabile, frymë pajtuese dhe bashkëpunimi ndëretnik.
Me obligimet që Kosova ka marrë me Propozimin e Ahtisaarit, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjet në shumë fusha, si: decentralizimi i pushtetit vendor, mbrojtja e minoriteteve dhe ruajtja e trashëgimisë së pasur kulturore të Kosovës etj.
Kushtetuta e re e Kosovës së pavarur, tha ai, përfshin të gjitha provizionet e Pakos së Ahtisaarit, të mbështetura ndërkombëtarisht.
Zoti Krasniqi kërkoi nga Mbretëria e Bashkuar të vazhdojë mbështetjen e Kosovës në synimin e saj të anëtarësimit në OKB dhe në organizmat e tjerë ndërkombëtarë.
Mbretëria e Bashkuar, vazhdoi Krasniqi, është vend i madh dhe me kredibilitet të lartë ndërkombëtar, prandaj presim që do të vazhdojë të ndikojë të miqtë e saj të shumtë për njohjen sa më të shpejtë dhe më të gjerë të Republikës së Kosovës, për t i bërë të mundur kështu hyrjen e saj në familjen e madhe të Kombeve të Bashkuara.
Kryetari Krasniqi e njoftoi homologun e tij për zgjedhjet e suksesshme vendore, të organizuara nga institucionet e Kosovës.
Një nga prioritetet e larta të institucioneve të Kosovës, theksoi ai, është integrimi i qytetarëve serbë në të gjitha fushat e jetës në Kosovë. Për këtë qëllim ne kemi përmbushur obligimet legjislative që dalin nga Pakoja e presidentit Ahtisaari, kurse me zgjedhjet e reja bëmë themelimin dhe funksionalizimin e komunave të reja me shumicë të komunitetit serb.
Lidhur me problemet në Veri të Kosovës, zoti Krasniqi kërkoi mbështetjen ndërkombëtare për Strategjinë e përbashkët të ICO-së dhe Qeverisë për integrimin e plotë të komunitetit serb dhe të vendosjes së rendit kushtetues në atë pjesë të vendit tonë.
Kryetari Krasniqi foli edhe për procesin e integrimit evropian, për zbatimin e rekomandimeve të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian dhe për përparimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
Pavarësia, vazhdoi ai, ka krijuar dhe po krijon kushte të favorshme për investime të kapitalit të huaj në Kosovë, siç janë siguria e stabiliteti politik, infrastruktura ligjore e fizike, telekomunikimet dhe lehtësitë doganore e tatimore, sigurimi i një mjedisi të qëndrueshëm biznesi, të cilat bashkë me pasuritë e mëdha dhe potencialin rinor e fuqinë e lirë punëtore, do të tërheqin investime të huaja dhe do të mundësojnë zhvillim të shpejtë.
Duke e njoftuar me punën e Kuvendit dhe të arriturat e tij, zoti Krasniqi shprehu bindjen se do të vazhdojë ndihma e parlamentit britanik dhe do të thellohen marrëdhëniet ndërmjet dy parlamenteve . Ai theksoi sidomos nevojën që ka Kuvendi i Kosovës për bashkëpunim dhe asociim rajonal dhe ndërkombëtar. Kjo do të ishte në të mirë të paqes e stabilitetit në rajon dhe do të ndihmonte Kosovën për integrim më të shpejtë evropian.
Zoti Krasniqi e ftoi kryetarin Bercow ta vizitojë zyrtarisht Republikën e Kosovës.
Kryetari Bercow, pasi e pranoi me kënaqësi ftesën, tha se është shumë i interesuar ta vizitoja Kosovën. Ai foli me admirim për pavarësinë e Kosovës dhe për të arriturat e vendit tonë, si dhe për funksionalitetin e institucioneve.
Lidhjet midis dy parlamenteve tona janë shumë të mira, por duhet t\'i përparojmë më tej. Ne e kuptojmë nevojën tuaj që Republika e Kosovës të njihet sa më gjerësisht në botë, si dhe nevojën që Kuvendi të anëtarësohet në Unionin Ndërparlamentar. Fushatën e njohjeve do ta ndihmojë sidomos qeveria britanike, theksoi ai.
Delegacioni vazhdon pjesëmarrjen në punimet e Konferencës dhe pritet të takohet edhe me kryetarin e Parlamentit të Irlanës së Veriut, zotin William Hay