Krasniqi kërkon avancimin e marrëdhenjeve me Malin e Zi
Prishtinë, 27 shkurt - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në një takim një delegacion nga Mali i Zi, kryesuar nga Igor Llukshiq, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Integrimeve Evropiane.
Duke shprehur kënaqësinë për këtë vizitë, kryekuvendari Krasniqi në fillim theksoi se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi janë mjaft të mira, por ekzistojnë mundësi që këto marrëdhënie të avancohen edhe më.
Në këtë frymë ekziston gatishmëri, për thellim të vazhdueshëm të bashkëpunimit, që vjen si obligim dhe vullnet, si nga fqinjësia e mirë, ashtu edhe nga fakti që në shtetet tona jetojnë përkatësisht komunitetet shqiptare dhe malaziase.
Duke i bërë një vështrim të kaluarës së dy vendeve, Krasniqi theksoi se gjithnjë duhet të reflektojmë nga ajo që na bashkon edhe gjatë historisë , por edhe sot, duke u angazhuar për raporte të mira, të ardhme më të mirë, jo vetëm ndërmjet dy shteteve, por edhe në tërë Rajonin.
Në këtë aspekt, komunitetet pakicë asnjëherë nuk shikohen si pengesë, por si mundësi për bashkëpunim.
Lidhur me çështjen e njohjes me kushtetutë të komunitetit malazias dhe të drejtës së tij për të pasur një vend në Kuvendin e Kosovës, të ngritur nga z. Llukshiq, kryekuvendari Krasniqi tha se kjo çështje do të zgjidhet me ndryshimet kushtetuese.
Në këtë kontekst, Llukshiq tha se shoqëria malaziase ka gatishmëri për realizimin e të drejtave për bashkësinë shqiptare në Mal të Zi.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Integrimeve Evropiane, Igor Llukshiq theksoi se kjo vizitë është një kontribut për marrëdhënie edhe më të mira ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës.
\"Për këtë duhet të kontribuojnë, posaçërisht dy qeveritë, duke bashkëpunuar në segmente të nduarnduarta, që do të jene në dobi të qytetarëve të të dyja shteteve.\"
\"Me Qeverinë e Kosovës do të bisedohet për projekte konkrete në lëmin ekonomik, kulturor etj.\", theksoi Llukshiq.
Bashkëbiseduesit ishin unik në vlerësimin se përpjekjet që bëhen nga dy shtetet drejt integrimit evropian dhe ndihma që mund të ofrohet në këtë shteg do të sjellin prosperitet dhe do të forcojnë bashkëpunimin e ndërsjellë.