Krasniqi kërkoi të vazhdojnë angazhimet e Ihsanoglu për njohjet
Prishtinë, 2 maj - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në një takim sekretarin e përgjithshëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, Ekmeleddin Ihsanoglu.
Pasi u falënderua për pritjen, sekretari i përgjithshëm i Organizatës për bashkëpunim Islamik, Ekmeleddin Ihsanoglu theksoi se ka ndjekur me vëmendje shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ndërsa njëkohësisht u shpreh i impresionuar me rezultate e arritura në proceset e gjithmbarshme në Kosovë.
Ndërkaq, marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve e quajti historike.
Sekretari i përgjithshëm i OBI-së, Ihsanoglu në përfundim të fjalës së tij u shpreh: E shoh një të ardhme të ndritur të Kosovës, do të angazhohem të inkurajojë proceset drejt zhvillimit të saj, theksoi ai.
Kryekuvendari Krasniqi e falënderoi, Ekmeleddin, për ndihmën e Organizatës Islamike që po i jepet Kosovës.
Kosova, tha kreu i legjislativit të vendit, në shumë samite ka pasur vendin e merituar.
Në vijim ai foli për njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se nga 57 vende sa ka kjo organizatë, 31 tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, kurse nga 26 shtete që ende nuk e kanë njohur, disa sosh janë në proces të kësaj njohjeje.
Krasniqi kërkoi që angazhimet e Ihsanoglu të vazhdojnë në procesin njohjeve të pavarësisë së Kosovës edhe nga shtetet tjera, pasi çdo njohje ka rëndësi të madhe për Kosovën.
Kontributi i juaj do të jetë i çmuar edhe në forcimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe shteteve të kësaj organizate. Në këtë aspekt na duhet një bashkëpunim më i ngushtë, tha Krasniqi.
Në vijim kryekuvendari Krasniqi foli për marrëdhënie shumë të mira që ka Kosova me shtetet fqinje, pos me Serbinë, për orientimet e Kosovës drejt së ardhmes, si dhe për të arriturat në fushën e legjislacionit, me të cilin janë siguruar të drejtat e të gjitha komuniteteve,pra edhe ato fetare.
Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, kryekuvendari Krasniqi tha se ato janë shumë të mira, por ato duhet të forcohen edhe më shumë, sidomos në fushën e ekonomisë dhe të tregtisë.
Kosova është e përcaktuar për integrime evropiane, por edhe për forcim të marrëdhënieve edhe me shtetet e të Organizatës për Bashkëpunim Islamik.
Në përfundim të takimit bashkëbiseduesit këmbyen edhe disa dhurata modeste.