Krasniqi kërkoi përshpejtimin e procedimit të projektligjeve
Prishtinë, 25 janar - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka takuar sot kryetarët e komisioneve parlamentare, me të cilët trajtoi çështje aktuale të punës së komisioneve parlamentare: hartimin e planeve periodike dhe programeve vjetore të punës së komisioneve parlamentare, sipas Strategjisë legjislative të Qeverisë, si dhe përshpejtimin e shqyrtimit dhe procedimit të projektligjeve, për miratim në Kuvend.
Kryeparlamentari Krasniqi që në fillim të takimit ka pohuar faktin që Qeveria e Republikës së Kosovës e ka dërguar në Kuvend Programin legjislativ për vitin 2012, i cili u është shpërndarë deputetëve më 18 janar 2012.
Me qëllim të hartimit të Programit të punës së Kuvendit për vitin 2012, Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, në mbledhjen e mbajtur më 20 janar 2012, e ka shqyrtuar programin legjislativ të Qeverisë, ka thënë Krasniqi, duke e cekur edhe përfundimin e Kryesisë për këtë çështje:
1. Ngarkohen komisionet parlamentare që mbi bazën e Programit legjislativ të Qeverisë për vitin 2012 dhe të propozimeve të veta, t`i hartojnë planet e punës periodike dhe Programin e punës së komisioneve për vitin 2012.
Afati deri me 31 janar 2012.
2. Ngarkohet Sekretaria e Kuvendit që në bazë të planeve të punës së komisioneve parlamentare, ta hartojë Projekt-Programin e punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, për vitin 2012, i cili me propozim të Kryesisë së Kuvendit i procedohet seancës plenare për miratim. Afati për hartim të Draft Programit: 6 shkurt 2012.
Në bazë të këtij përfundimi, Komisionet parlamentare duhet që në afatin e paraparë ti hartojnë planet periodike dhe Programin vjetor të punës se tyre, duke përfshirë këtu projektligjet nga Strategjia legjislative e Qeverisë, pastaj duke paraparë propozimin eventual të hartimit të ndonjë projektligji nga vetë Komisioni, propozimin për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve të caktuara nga fushëveprimi i tyre, shqyrtimin e raporteve të organeve të pavarura, si dhe çështje tjera të parapara me Rregullore të punës, ka theksuar kreu i Kuvendit, duke shtuar se propozimet e komisioneve do të inkorporohen në Programin e punës së Kuvendit për vitin 2012, i cili duhet të miratohet gjatë muajt shkurt 2012.
Kryetarët e komisioneve parlamentare kanë raportuar për punën e komisioneve, të cilat i drejtojnë, për punën që kanë bërë gjatë vitit të shkuar dhe për planet e tyre për vitin 2012, duke i përmendur edhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen gjatë punës së tyre. Ata kanë premtuar se me kohë do ti hartojnë planet e tyre të punës.
Kryeparlamentari Krasniqi ka kërkuar nga kryetarët e komisioneve të përshpejtojnë shqyrtimin dhe procedimin e projektligjeve, për miratim në Kuvend. Ai ka theksuar se në procedurën e shqyrtimit në komisione parlamentare janë gjithsej 21 projektligje, kurse në ndërkohë janë parashtruar edhe 16 projektligje që janë në pritje për shqyrtim të parë.
Në bazë të Pasqyrës se prezantuar për gjendjen e projektligjeve në procedurën e shqyrtimit në komisionet parlamentare, mund të konstatoj se shumica e projektligjeve janë duke u proceduar brenda afatit të paraparë me Rregulloren e Kuvendit, ka thënë Krasniqi , duke i falënderuar drejtuesit e komisioneve parlamentare për angazhim, e duke kërkuar përshpejtim të dinamikës së punës së komisioneve për shqyrtimin dhe procedimin e projektligjeve për miratim në mbledhje plenare.