Krasniqi kërkoi dorëheqjen e Pacollit
Prishtinë, 17 shtator - Bazuar në zhvillimet e fundit rreth përfshirjes së zyrtarëve të qeverisë në afera që dyshohen për korrupsion, deputeti i PDK-së Halit Krasniqi, i bëri thirrje kryeministrit të vendit që të mendoj për ndryshime serioze në koalicionin qeverisës.
Ai kërkoi reformatim me mundësi të zgjerimit me partnerë të tjerë, por me kërkesën që PDK-ja të ruaj rolin udhëheqës.
Ai tha se do të ishte e moralshme që zv.kryeministri, Pacolli, i cili nuk e ka pasur guximin të bëjë denoncim të menjëhershëm në organet e drejtësisë për çështjet që janë ngritur, të jep dorëheqje dhe më këtë do të krijohen mundësi për rishikimin e koalicionit aktual qeverisës.
Institucioni i moralit politik i cili duhet të funksionojë vazhdimisht, e sidomos me këto zhvillime, e kërkon dorëheqjen nga funksioni medoemos dhe në mënyrë të parevokueshme për të krijuar hapësirë institucionale veprimeve të drejtësisë. Goditje më të rëndë mbi imazhin e qeverisë nuk kemi pasur asnjëherë, ka theksuar Krasniqi.