Krasniqi i uron të gjithë shqiptarët
Prishtinë, 27 nëntor - Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi ka uruar të gjithë shqiptarët për ditën e pavarësisë së Shqipërisë dhe ditën e flamurit.
Ai ka kujtuar përpjekjet mbinjerëzore të popullit shqiptar që nga periudha e Rilindjes. Ishte lufta e UÇK-së dhe komandantit Adem Jashari të ndihmuar edhe nga SHBA dhe BE që i ndërruan rrjedhën historisë për shqiptarët, thuhen ndër të tjera në porosinë drejtuar bashkëkombësve në të gjitha trojet shqiptare.
Me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, kryetari I Kuvendit të Republikës së Kosovës ,dr. Jakup Krasniqi, iu drejtua me një mesazh të gjithë shqiptarëve, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginën e Preshevës, Mal të Zi e diasporë.
Duke i përgëzuar për këtë jubile të rëndësisë së veçantë,ai përkujton përpjekjet mbinjerëzore të shqiptarëve që nga periudha e Rilindjes, të cilat reflektuan fuqishëm në ngritjen kulminante të vetëdijes kulturore e shtetformuese, që sollën pavarësinë e Shqipërisë.
Megjithëse të ndarë dhunshëm e padrejtësisht nga trualli i tyre, shqiptarët nuk ndalën përpjekjet e tyre drejt lirisë. Me vullnet të çeliktë e me sakrifica të pashembullta, u arrit çlirimi i Kosovës duke e shpallur shtet të pavarur dhe sovran.
Ishte lufta e pakursyer e UÇK-ës, udhëhequr nga komandanti dhe trimi i paepur Adem Jashari, i cili u flijua me tre brezat e kësaj familjeje , që ndërroi njëherë e përgjithmonë rrjedhën e historisë për shqiptarët.
Në këtë luftë të pakursyer shqiptarët u ndihmuan edhe nga miqtë ndërkombëtarë,sidomos nga SHBA-të dhe Bashkimi Evropian, të cilëve u jemi gjithmonë mirënjohës.
Kjo festë sot e gjithmonë na bën edhe më të bashkuar e më të vullnetshëm drejt progresit të gjithmbarshëm, unitetit kombëtar dhe integrimeve evropiane.
Në emrin tim dhe në emër të Kuvendit të Kosovës ju uroj të gjithë qytetarëve shqiptarë kudo që janë:Gëzuar Dita jubilare e 100-Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë,Dita e Flamurit dhe ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari, theksohet në mesazhin e kryekuvendarit Krasniqi.