Krasniqi: Formimi i Gjykatës Speciale është kërkesë politike
Prishtinë, 14 prill - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në një takim Komisionin Parlamentar për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të kryesuar nga znj. Arta Dade, kryetare.
Pasi përshëndeti delegacionin, kryekuvendari Krasniqi theksoi se ndërmjet dy parlamenteve të Kosovës dhe Shqipërisë zhvillohen takime të shpeshta, por ka ende fusha të pashfrytëzuara për shtimin e bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve dhe shteteve.
Në vijim kryekuvendari Krasniqi i bëri një vështrim zhvillimeve aktuale në Kosovë.
Duke folur rreth çështjes së formimit të Gjykatës Speciale për Krimet e Luftës në Kosovë, mes tjerash Krasniqi tha: Formimi i kësaj Gjykate, është më tepër kërkesë politike se sa gjyqësore, madje kjo çështje ka shumë të panjohura.
Në fjalën e saj, Arta Dade, kryetare e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, theksoi se ky Komision ka përkrahur bashkëpunimin dhe marrëdhëniet ndërmjet institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës.
Ajo përgëzoi kryetarin Krasniqi për drejtimin e urtë të Kuvendit në të gjitha sfidat me të cilat është ballafaquar legjislativi.
Arta Dade pastaj i bëri një vështrim përpjekjeve që bëhen nga dy shtetet për bashkëpunim rajonal e integrim evropian, duke përmendur me këtë rast si një hap të rëndësishëm pranimin e Kosovës në Kartën e Adriatikut 5, që është një shenjë e seriozitetit e të dy shteteve drejt integrimeve euroatlantike.
Në këtë vështrim ajo theksoi:Të dy shtetet duhet të jemi më të artikuluar në politikat e përbashkëta në kontekst të sfidave që paraqet siguria rajonale, e cila kërcënon herë-herë.
Ndërkaq, duke vlerësuar zhvillimet më të ndjeshme aktuale në Kosovë, ajo tha:Shprehim besim se pjekuria e klasës politike të Kosovës do të bëjë që të merren vendime në dobi të proceseve integruese.
Bashkëbiseduesit vlerësuan lart bashkëpunimin që zhvillohet ndërmjet komisioneve përkatëse dhe institucioneve tjera nga dy shtetet.