Krasniqi e Limaj së shpejti me parti të re
Prishtinë, 17 korrik - Së shpejti pritet vendimi për iniciativën e re të Jakup Krasniqit dhe Fatmir Limajt. I pari prej kohësh ka dhënë dorëheqje nga funksionet në PDK dhe i dyti ka mbetur huni pas gardhi në PDK.
Që të dy kanë shprehur disa herë pakënaqësitë e tyre në PDK duke adresuar kritika të ashpra për procesin e zgjedhjeve të brendshme në PDK dhe mbi të gjitha duke sulmuar ashpër kreun e PDK-së, Hashim Thaçin, shkruan sot gazeta Bota sot.
Në këtë kuadër mbështetësit e Jakup Krasniqit dhe Fatmir Limajt po lëvizin në terren.
Pas dorëheqjes së para disa ditëve të Enver Hotit nga pozita e shefit të grupit të asamblistëve të PDK-së në KK Malishevë, pritet lëvizje edhe e Ragip Begajt (1956), kryeasamblist i KK Malishevës.
Këto lëvizje po kuptohen si rezultat i aktiviteteve të fshehta të Krasniqit dhe Limajt në terren dhe luftës së tyre kundër grupimit të Hashim Thaçit.
Sikurse Enver Hoti ashtu dhe Ragip Begaj konsiderohen figura të rëndësishme të PDK-së në Malishevë.
Për më shumë Enver Hoti është dhe drejtues i degës së organizatës së veteranëve të UÇK-së në Malishevë dhe një mbështetës i thekur i Fatmir Limajt, përreth të cilit janë ish ushtarët e Brigadës së UÇK-së Kumanova.
Malisheva dhe Gllogovci konsiderohen si dy bastionet e Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqit, shkruan sot e përditshmja Bota sot