05 Maj 2024

Krasniqi: Do të krijohen kushte më të mira për mediat

Prishtinë, 23 dhjetor - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e përbashkët  me shefat e grupeve parlamentare, të drejtuar nga  dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, ka shqyrtuar informatën për aktivitetet e Kuvendit të Kosovës, për vitin 2011.

Puna e Kuvendit në këtë vit është vlerësuar e suksesshme dhe e frytshme. Informata përfshin gjithë aktivitetin legjislativ të Kuvendit për këtë vit, mbledhjet plenare, mbledhjet e Kryesisë, mbledhjet e komisioneve parlamentare, mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve, dëgjimet publike, takimet protokollare brenda dhe jashtë vendit, ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare etj.

Kryesia ka kërkuar nga sekretaria e Kuvendit që pasi të plotësohet me fakte të reja, informata për punën e Kuvendit  të publikohet në web-faqen e Kuvendit. 

Kryesia është marrë, ndërkaq edhe me çështjen e ngritur nga AGPK-ja lidhur me Rregulloren për rendin dhe qasjen e mediave dhe të publikut në punën e Kuvendit të Kosovës, të miratuar nga Kryesia e Kuvendit më 19 prill të këtij viti.

Në mungesë të rekomandimeve të Nënkomisionit për Mandate, Imunitete dhe Rregullore të Punës, lidhur me qasjen e mediave dhe të publikut në punën e Kuvendit të Kosovës, çështja e shtruar është parë nga kënde të ndryshme nga anëtarët e Kryesisë dhe shefat e grupeve parlamentare, por ka dominuar ideja se qëllimi i Kuvendit nuk ka qenë ngushtimi i hapësirave dhe i mundësive të përfaqësuesve të mediave për informim për punën e Kuvendit, përkundrazi.

Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi, ka specifikuar se me këtë rregullore precizohet se ndalohet incizimi dhe fotografimi në restorantin e Kuvendit, në hollin e Kuvendit dhe në mbledhjet e trupave të Kuvendit, kur punojnë me dyer të mbyllura (të parapara edhe me Rregulloren e Kuvendit), siç veprohet në shumicën e parlamenteve të vendeve demokratike. Është sqaruar, ndërkaq, se në asnjë mënyrë nuk cenohet prania e gazetarëve në punën e Kuvendit.

Në konferencën me gazetarë që kryeparlamentari Krasniqi ka mbajtur pas mbledhjes së Kryesisë, ngritjen  problemeve nga AGKP-ja e ka quajtur një keqkuptim që mund të tejkalohet. Ai ka premtuar se deri në mbledhjen e parë plenare në sesionin pranveror, Kuvendi do të krijojë kushte shumë më të mira për përfaqësuesit e mediave.

Po sot, një grup i  gazetarëve, i  xhiruesve dhe i fotoreporterëve të akredituar në Kuvendin e Kosovës janë njoftuar me ambientet e tyre të punës në Kuvend.

Administrata e Kuvendit, me këtë rast, ka marrë edhe mendimet e përfaqësuesve të mediave për mobilimin dhe pajisjet e nevojshme në ambientet e reja të dedikuara për ta.
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)