Krasniqi diskuton thellimin e bashëkpunimit me Graaf
Prishtinë, 20 shkurt - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, priti sot në një takim kryetarin e Senatit të Mbretërisë së Holandës, Fred de Graaf, i cili gjendet në vizitë me ftesë të kryekuvendarit Krasniqi.
Temë themelore e bisedimeve në takimin e sotëm ishte bashkëpunimi ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Senatit të Holandës, në thellimin e marrëdhënieve të gjithmbarshme ndërmjet këtyre institucioneve dhe shteteve, sidomos në kontekstin e mbështetjes së Holandës në synimet integruese evropiane.
Duke shprehur kënaqësinë për këtë vizitë, Fred de Graaf shprehu interesimin e tij për zhvillimet në Kosovë, posaçërisht në 5 vjetët e pavarësisë, si dhe për vizionin e Kosovës në të ardhmen.
Që në fillim të fjalës së tij, kryekuvendari Krasniqi theksoi se Kosova po shënon rezultate në shumë lëmenj të jetës së gjithmbarshme politike e shoqërore, si dhe ekonomike.
Gjithë këto suksese, theksoi kryekuvendari Krasniqi, nuk i shohim si arritje vetëm të Kosovës, por edhe si fryt të mbështetjes nga BE-ja, e në këtë kuadër edhe nga Holanda mike, nga e cila asnjëherë nuk ka munguar mbështetja.
Në këtë vështrim ai shprehu mirënjohje të thellë ndaj Holandës për të gjithë atë që ka bërë e po bën për të ndihmuar Kosovën në ecjen e saj. Në këtë aspekt, Krasniqi e vlerësoi edhe këtë vizitë.
Në vijim të takimit kryekuvendari Krasniqi i bëri një vështrim të gjerë strukturës së Kuvendit, duke theksuar edhe pjesëmarrjen e serbëve dhe komuniteteve të tjera në përbërjen e Kuvendit, por edhe në Qeverinë e Kosovës.
Komuniteti serb, theksoi ai, është i integruar në jetën institucionale, pos atij në veri, i cili vjen si rrjedhojë e ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Beogradit.
Duke u përqendruar në temën e liberalizimit të vizave dhe të përpjekjeve për integrim në BE, kreu i legjislativit të vendit theksoi se është vullnet unik e konsekuent i institucioneve dhe popullit të Kosovës për liberalizim të vizave dhe integrim në Bashkimin Evropian, si alternativë e vetme e së ardhmes së Kosovës.
Në këtë orientim, ka angazhime të ecet sa më shpejt, duke siguruar njëkohësisht edhe infrastrukturën përkatëse ligjore, ndërsa mbështetja e Holandës në realizimin e këtyre synimeve shikohet me shumë peshë.
Në këtë frymë, kryekuvendari Krasniqi, duke folur për sukseset që ka arritur Kosova në procesin e njohjeve nga 98 shtete të botës, përmendi problemin e 5 shteteve evropiane që nuk e kanë njohur ende Kosovën.
Pasi shprehu kënaqësinë për këtë vizitë, kryetari i Senatit të Mbretërisë së Holandës, Fred de Graaf, foli gjerësisht për çështjen e zhvillimeve sa i përket integrimit të Kosovës në BE dhe pengesave që dalin në këtë aspekt.
Ky proces, tha ai, është i ndërlidhur mjaft me çështjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Dialogu që po zhvillohet në Bruksel, që zgjat me orë të tëra,do të çojë drejt integrimeve evropiane.
Ai është shumë i rëndësishëm edhe sa i përket çështjes së njohjes së pavarësisë së Kosovës nga 5 shtetet e BE-së, që ende nuk e kanë bërë këtë.
Shpresojmë se Kosova dhe Serbia do të shënojnë progres në këtë dialog, ndërsa do të ishte shumë zhgënjyese po të mos ketë rezultate. Në do t ju ndihmojmë në procesin integrues, në çdo kontekst të aktiviteteve tona në kuadër të Bashkimit Evropian, theksoi ai.