29 Prill 2024

Krasniqi: Bisedimet me Serbinë, pa rezultate

Prishtinë, 3 shtator -  “Bisedimet të cilat po zhvillohen aktualisht mes Prishtinës dhe Beogradit, janë bisedime të imponuara”. Kështu shprehet në një intervistë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Ai konsideron se Beogradi zyrtar po merr pjesë në këto bisedime vetëm sa për të krijuar pozicion të avancuar në raport me Brukselin. Sipas tij, Kosova asnjëherë nuk është shprehur kundër bisedimeve me asnjë vend të rajonit, në këtë rrafsh as me Serbinë.

“Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë është dashur të ndodhin, duhet të ndodhin dhe duhet të mbyllen. Por, mendoj që ekziston edhe një problem dhe ai problem është se pala serbe nuk është shumë e disponuar për të zhvilluar bisedime dhe për të përfunduar këto bisedime me sukses”, vijon Krasniqi, për të shtuar se bisedimet jo vetëm që do të jenë të vështira, por do të zgjasin gjatë dhe nuk do të japin rezultate që do t`iu duheshin qytetarëve të Kosovës dhe qytetarëve të Serbisë. 

Po ashtu ai thekson se bisedimet vështirë se do të arrijnë objektivin e tyre për të cilin edhe kanë filluar. Përsa i përket situatës në Veri të Kosovës, Krasniqi shprehet se ulja e tensioneve varet nga veprimet politike të politikës në Beograd, sepse sipas tij zhvillimet e fundit kanë treguar se përzierja e politikës së Beogradit në atë pjesë të Kosovës, ka qenë e madhe.

“Beogradi qëndron pas atyre grupeve kriminale në atë pjesë të Kosovës, kurse nga pala e Kosovës varet se sa Kosova ka gatishmëri për të krijuar hapësira të mjaftueshme dhe unë mendoj që pala Kosovare me dokumentin e presidenti Ahtisari ka krijuar hapësirë të mjaftueshme për qytetaret serbë në çdo pjesë të Kosovës”, thekson kryetari i parlamentit të Kosovës.

Në këtë drejtim ai ndalet tek dy rezolutat e nxjerra nga Parlamenti për çështjen e veriut. “Rezoluta e parë është që i lejon bisedimet, por tregon edhe për çështje për të cilat nuk mund të bisedohen dhe nëse bisedimet shkojnë mbi atë bazë dhe mbi bazën e Kushtetutës, mendoj se nuk ka pse të ndërhyjë Kuvendi.

\"Gjithashtu Kuvendi ka rezolutën tjetër me të cilën i ka mbështetur veprimet e Qeverisë së Kosovës që kanë ndodhur me 25 korrik dhe realisht Kuvendi qëndron prapa kësaj rezolute siç Kuvendi do të kërkojë nga institucionet e Kosovës, në ketë rast nga qeveria, që të respektohet dokumenti bazik i shtetit, që është Kushtetuta”, nënvizoi Krasniqi.

Ndërsa ligjet e tjera, sipas tij janë miratuar jo edhe aq me procedurë të përshpejtuar kryesisht shumica e tyre kanë qenë ligje që në një mënyrë kanë qenë të miratuara por ka disa ndryshime dhe ato ndryshime nuk janë shumë të thella siç është për shembull edhe ligji i prokurimit publik.