Krasniqi bëri homazhe në Kompleksin Adem Jashari
Prishtinë, 26 nëntor - Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka vizituar sot Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz dhe ka bërë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve.
Me këtë rast, kryeparlamentari Krasniqi tha se zhvillimet e fundshekullit të kaluar në Kosovë, janë rezultat i përpjekjeve 100-vjeçare të gjeneratave të ndryshme, sukses ky i sublimuar falë formimit të lëvizjes kulmore ushtarake çlirimtare të popullit shqiptar, të udhëhequr nga Komandanti Legjendar, Adem Jashari.
Kryetari Krasniqi tha se i gjithë kombi shqiptar, e në mënyrë të veçantë pjesa e shqiptarëve të Kosovës, po e feston 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, edhe falë kësaj sakrifice të madhe që është bërë në këto troje, për lirinë e të gjithë shqiptarëve të kësaj hapësire, e jo vetëm të saj.
Prandaj, shtoi Krasniqi, kjo është një ngjarje që na bën të ndihemi krenarë për lavdinë e brezave.
Vijmë këtu për ti nderuar, për ti kujtuar dhe për ti falënderuar ata që na mundësuan që 100-vjetorin e pavarësisë ta festojmë të lirë, të pavarur dhe sovran në trojet tona, u shpreh kryetari i Kuvendit të Kosovës.
Pas homazheve, kryetari Krasniqi vizitoi edhe familjen Jashari, ku u prit nga kryefamiljari i saj, Rifat Jashari.
Kryetari i Kuvendit, gjithashtu, mori pjesë edhe në manifestimin që u organizua me rastin e Ditës së Forcës së Sigurisë së Kosovës, në Kazermën Adem Jashari në Prishtinë.