Krasniqi: Avokati i Popullit duhet të ketë pavarësi politike
Prishtinë, 5 shkurt - Roli dhe funksionimi i institucionit të Avokatit të Popullit, si një strukturë e rëndësishme ndërmjet qytetarit dhe administratës, ishte temë kryesore e takimit të sotëm të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, me avokatin e popullit të Shqipërisë, Igli Totozani dhe avokatin e popullit të Kosovës, Sami Kurteshi.
Duke iu uruar mirëseardhje dhe njëherësh duke i përgëzuar për bashkëpunimin e ndërsjellë, kryekuvendari Krasniqi theksoi se gjithnjë bën përpjekje që të përkrahë të gjitha institucionet që i përgjigjen Kuvendit, në mënyrë që ato t’ i shfrytëzojnë të gjitha të drejtat që ua garantojnë ligjet.
Funksioni që kryejnë avokatët e popullit nuk është i lehtë, sidomos në shtetet në tranzicion.
Kryetari Krasniqi në vijim theksoi se angazhohet që institucioni i Avokatit të Popullit të gëzojë pavarësi politike në veprimtarinë e tij,në mbështetje të ligjit.
”Kemi përgjegjësi të dëgjojmë me durim hallet e qytetarëve. Kërkesat e tyre nuk janë të mëdha, ndaj duhet të dëgjohen ata,e kur veprohet kështu, atëherë qytetarët ndiejnë një sadisfikacion,” u shpreh ai.
Igli Totozani theksoi se ndihma e parlamentit ndaj institucionit të Avokatit të Popullit është me rëndësi shumë të madhe.
Avokati i Popullit është institucion i veçantë, ndaj edhe duhet të kuptohet funksioni i tij. Njerëzit duhet të mësohem me këtë realitet, por kjo nuk është e thjeshtë.
Të dy avokatët e popullit theksuan se ballafaqohen me sfida në veprimtarinë e tyre, por gëzojë përkrahjen e parlamente përkatëse.
Sami Kurteshi vlerësoi lart ndihmën e kryetarit Krasniqi, por edhe të disa komisioneve parlamentare, pa kontributin e të cilëve vështirë se do të arriheshin rezultatet e shënuara.