KQZ shënoi ditën globale të zgjedhjeve
Prishtinë, 5 shkurt - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shënoi për herë të tretë Ditën Globale të Zgjedhjeve.
Kjo ditë shënohet në shumë shtete që nga viti 2005, në çdo të enjte të parë të muajit shkurt, ndërsa KQZ-ja e shënon këtë ditë që nga viti 2013.
Shënimi i kësaj dite, shpreh përcaktimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të vazhduar me përkushtim realizimin e misionit dhe detyrave që ka KQZ si institucion i pavarur, por edhe forcimin dhe avancimin e demokracisë.
Me këtë rast, në komunat e Republikës së Kosovës, u organizuan ligjerata me përfaqësues të forumeve rinore dhe përfaqësues të maturantëve lidhur me rëndësinë e pjesëmarrjes së të rinjëve në zgjedhje.
Disa nga qëllimet kryesore të kësaj dite janë informimi i zgjedhësve dhe qytetarëve me përkushtimin e institucioneve për demokracinë; për organizimin e zgjedhjeve të lira; për arritjet në fushën e organizimit të zgjedhjeve dhe për sfidat lidhur me proceset zgjedhore si dhe për rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje.
Në vitin 2005 ekspertët e zgjedhjeve nga e gjithë bota morën pjesë në Koferencën Globale me Zyrtarët e Zgjedhjeve në Hungari. Nëpërmjet kësaj konference, ata dërguan mesazhin lidhur me nevojën jetike për të forcuar procesin e zhvillimit demokratik në të gjithë botën.
Nga ky vit pjesëmarrësit kanë nisur iniciativën për të shënuar Ditën Globale të Zgjedhjeve, në çdo të enjte të parë të muajit shkurt. Kjo ditë është propozuar si ditë festive sepse shumica e marrëveshjeve ndërkombëtare në fushën e zgjedhjeve janë nënshkruar në këtë ditë ose rreth saj.