KQZ pranon kërkesen e ambasadave për vezhgimin e zgjedhjeve në Drenas
Prishtinë, 1 dhjetor - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e vlerëson të nevojshme të njoftojë se ka pranuar kërkesën nga Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar i akredituar në Kosovë, shkelqësia e tij, Ruairi OConnell, e shkruar edhe në emër të përfaqësuesve të katër shteteve mike të Republikës së Kosovës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në përgjigje të kësaj kërkese, e çmon lartë interesimin e shprehur, por edhe ndihmën e vazhdueshme që këto shtete kanë dhënë për Republikën e Kosovës dhe për institucionet e saj, me theks të veçantë për ndihmën e dhënë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Në këtë drejtim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim që të shtyjë deri ditën e shtunë afatin për apklikim për akreditim të vëzhguesve ndërkombëtarë për të vëzhguar Zgjedhjet e Jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Drenasit që do të mbahen më 4 dhjetor 2016, konform dispozitave ligjore për rolin e vëzhguesve të zgjedhjeve.
Kurse, lidhur me kërkesën specifike, KQZ-ja, duke u mbështetur edhe në ligjet në fuqi, njofton se nuk ka pasur asnjë pengesë që këtë proces, ndonëse i jashtëzakonshëm, ta implementojë deri në fund me sukses të plotë.
Gjithashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si institucion i pavarur i përcaktuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, nuk ndërhyn në çështjet politike nga cilido drejtim që ato mund të shfaqen dhe as në problemet e sigurisë. Janë institucionet e caktuara të vendit, që kanë përgjegjësitë e ndara, përfshirë edhe gjatë zgjedhjeve.
Në fund, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën të njohur se ka arritur shkallë të lartë mobilizimi në përgatitjet dhe implementimin e proceseve zgjedhore, ngjashëm edhe lidhur me procesin e Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Drenasit (Gllogocit).