KQZ pranë zyrtarizimit të rezultatit
Prishtinë, 31 janar - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë duke e nxjerrë Partinë Demokratike të Kosovës fituese të tyre.
Zyrtarizimi i rezultatit pritet të bëhet brenda pak kohësh, duke i hapur mundësinë krijimit të institucioneve të reja të vendit.
Bisedimet ndërmjet partive politike për krijimin e një koalicioni qeverisës kanë hyrë në një fazë intensive.
Sipas zyrtarëve të KQZ-së, i gjithë procesi pritet të mbyllet këtë javë, pas shqyrtimit të ankesave të mundshme të subjekteve politike.
Pas mbylljes së procesit zgjedhor, Partia Demokratike e kryeministrit Hashim Thaçi edhe zyrtarisht do të nisë negociatat me subjektet tjera politike për konstituimin e institucioneve të reja.
Zoti Thaçi ka thënë se qeveria e re do të jetë shumëpërfshirëse, duke lënë të kuptohet se nuk dëshiron të bëjë koalicion me vetëm një parti politike shqiptare dhe me pakicat, por e do një koalicion më të gjerë.