KQZ nuk garanton zgjedhje cilësore
Prishtinë, 4 prill - Komisioni Qendror Zgjedhor në Kosovë mund të organizojë zgjedhje, por nuk mund të garantojë për cilësinë e tyre, kanë thënë në këtë institucion pas situatës së re institucionale të krijuar si pasojë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mënyrën e zgjedhjes së Behgjet Pacollit president dhe përmendjen e zgjedhjeve të parakohshme si opsion për dalje nga kriza.
Anëtari i KQZ-së, Florian Dushi, ka theksuar se KQZ-ja ligjërisht s`ka nga t`ia mbajë po qe se institucionet përgjegjëse do të vendosin për mbajtjen e zgjedhjeve, por ai është shprehur shumë pesimist që zgjedhjet e reja do të mund të ishin më cilësore se sa ato që filluan në muajin dhjetor të vitit të kaluar e mbaruan në muajin shkurt të këtij viti.
Kurdo që shpallen zgjedhjet, detyrë e KQZ-së, sipas Kushtetutës dhe ligjeve, është organizimi i tyre. Por problemi është me cilësinë e procesit elektoral që mund të dalë, kur kemi parasysh që nuk ka ndodhur reforma zgjedhore, ka thënë Dushi.
Të njëjtim mendim ka shprehur edhe anëtari tjetër i KQZ-së Betim Gjoshi. \"Në KQZ punohet në baza ditore, nuk janë bërë fare përgatitje, sepse presidenti nuk ka shpallur zgjedhje, por KQZ-ja e ka për detyrë që t`i organizojë zgjedhjet dhe kurdo që të ketë nevojë , ka thënë anërari i KQZ-së Betim Gjoshi.