KQZ në konferencën e dytë botërore të a-web
Santo Domingo , 20 gusht - Me ftesë të Asociacionit të Trupave Zgjedhore Botërore (A-WEB) një delegacion i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në përbërje të kryetares, Valdete Daka dhe anëtarit z. Binak Vishaj, po qëndron në Santo Domingo të Republikës Domenikane, ku po marrin pjesë në Konferencën e Dytë Botërore (18-21 gusht) të Asamblesë së Përgjithshme të këtij asociacioni.
Në këtë Konferencë përfaqësuesit e institucioneve që janë të ngarkuara me administrimin e zgjedhjeve nga 94 shtete anëtare të A-WEB, po diskutojnë dhe shkëmbejnë përvojat në lidhje me Rolin dhe Sfidat e Trupave Zgjedhore për të Garantuar Integritetin e Zgjedhjeve, e që është edhe tema kryesore e kësaj ngjarjeje.
Gjatë zhvillimit të punimeve të kësaj konference, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, znj. Daka, mbajti fjalim para përfaqësuesve të institucioneve zgjedhore pjesëmarrëse, ku fillimisht prezantoi një historik të shkurtër të formimit të shtetit të Kosovës dhe rolin e KQZ-së si institucion i pavarur, i përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, duke folur lidhur me integritetin e zgjedhjeve, kryetarja Daka u shpreh se për organizimin e zgjedhjeve të mirëfillta, të lira dhe të drejta, rëndësi ka pavarësia e institucionit përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve në përgjithësi dhe sidomos pavarësia dhe paanësia e administratës. Vetëm institucionet zgjedhore të pavarura janë garantues të integritetin të zgjedhjeve, duke përfshirë këtu, proces të mirë-organizuar dhe rezultate korrekte si qëllim final i gjithë angazhimit të institucioneve tona në një proces zgjedhor, tha më tej Daka.
Në ditën e parë të Konferencës, të pranishmit u nderuan me pjesëmarrjen e Presidentit të Republikës Domenikane, Kryetares së Kuvendit të këtij shteti, anëtarë të qeverisë dhe të Gjykatës së Lartë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës është bërë anëtar i Asamblesë së Përgjithshme të Asociacionit të Trupave Zgjedhore Botërore (A-WEB) në tetor të vitit 2013.