KQZ miraton planin operacional për zgjedhjet
Prishtinë, 8 maj - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e 23 të kryesuar nga Kryetarja e KQZ-së, znj. Valdete Daka, ku fillimisht u miratua raporti nga mbledhja e kaluar.
Në vazhdim të mbledhjes, KQZ mori vendim për miratimin e afateve dhe aktiviteteve kryesore të Zgjedhjeve të Parakohshme Parlamentare 2014.
Ndër tjerash, në këtë pikë, KQZ mbështeti propozimin për caktimin prej dhjetë (10) ditësh të kohëzgjatjes së fushatës parazgjedhore, nga data 28 maj deri më 6 qershor 2014.
Po ashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi Planin Operacional për Zgjedhjet e Parakohshme Parlamentare 2014, të cilat do të mbahen më 08 qershor.
Në këtë mbledhje, KQZ caktoi edhe përbërjen e Këshillit për Informim Publik, si dhe miratoi ftesën për nominimin e anëtareve për Komisionet Komunalet të Zgjedhjeve, që do tiu dërgohet subjekteve politike që kanë qenë të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Në fund të takimit, anëtarët e KQZ-së diskutuan idenë për gjetjen e mundësive nga ana e Sekretariatit të KQZ-së për transparencë më të madhe gjatë procesit të numërimit të votave.