KQZ miratoj planin për zgjedhjet në Graçanicë
Prishtinë, 18 dhjetor - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e 52-të për vitin 2014, të kryesuar nga kryetarja, Valdete Daka.Në këtë mbledhje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shqyrtoi dhe miratoi Planin Operacional për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Graçanicës që do të mbahen më 18 janar 2015.
Ky plan parashesh të gjitha aktivitetet ligjore dhe teknike për organizimin e zgjedhjeve në këtë komunë.
Ndër tjerash, sipas Planit Operacional, periudha e fushatës së zgjedhjeve për Subjektet Politike do të zgjasë pesë (5) ditë, nga 12 deri më 16 janar 2015.
Gjithashtu, lidhur me Zgjedhjet e Jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Graçanicës, KQZ mori vendim për caktimin e afateve të aktiviteteve zgjedhore sipas Rregullës Zgjedhore nr. 15/2013, si dhe miratoi planin e buxhetit për këto zgjedhje.
Në vazhdim të kësaj mbledhjeje, KQZ mori vendim për regjistrimin e katër (4) Partive Politike:
1. Partia e Ballit (PB);
2. Lëvizja Qytetare Vatra (LQV);
3. Pokret za Gora (PG);
4. Partia Demokratike e Unitetit (PDU).
Në pikën tjetër të rendit të ditës, KQZ miratoi raportin e shpenzimeve për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 8 qershor 2014.