KQZ: Më 23 janar përsëriten votimet në Mitrovicë
Prishtinë, 10 janar - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka bërë të ditur se më 23 janar do të përsëriten zgjedhjet parlamentare në rajonin e Mitrovicës.
Vendimi i KQZ-së erdhi pas atij të Gjykatës Supreme të Kosovës, ku u vendos që votimi të përsëritet në 24 qendra votimi të kësaj komune për arsye të shkeljeve të vërejtura më 12 dhjetor.
Ndërkaq, zyrtarët e KQZ-së njoftuan se pjesëmarrja në rivotimet që u zhvilluan të dielën në pesë komuna ishte më e ulët.
Dalja e votuesve sipas komunave është: në Deçan kemi gjithsej 12.881 votues, apo 34. 59 për qind, në Drenas 27 mijë e 377 votues, apo 58.68 për qind, në Lipjan, në një qendër të votimit, kanë votuar 1 256 votues apo 53.31 për qind, në Skenderaj 30 mijë e 379 votues apo gjithsej 61.60 për qind dhe në Malishevë, në një qendër votimi, kanë votuar 1 120 votues, apo 36.36 për qind, deklaroi kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.
Ndërkohë delegacioni monitorues i Parlamentit Evropian për zgjedhjet në Kosovë në deklaratën e tij për shtyp ka hedhur kritika për zgjedhjet e 12 dhjetorit duke theksuar se gjatë zhvillimit të tyre janë vënë re defekte serioze.