KQZ kërkon raport nga OSBE rreth procesit zgjedhor në veri
Prishtinë, 29 tetor - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mbajti mbledhjen e 61-të vitit 2013, të kryesuar nga kryetarja e KQZ-së, znj. Valdete Daka.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shprehur brengën se nuk ka informacion se çfarë po ndodhë me procesin zgjedhor në veri.
Kryetarja Daka ka thënë në mbledhjen e KQZ-së se i ka kërkuar vetë shefit të OSBE-së në Kosovë një raport për procesin, por deri më tani nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Shumica e anëtarëve të KQZ-së e kanë quajtur të manipuluar procesin e votimeve me postë që OSBE-ja ka marrë përsipër ta dërgojë te votuesit. OSBE deri më tani nuk ka dhënë ndonjë sqarim zyrtar rreth procesit zgjedhor në veri.
Organi i zgjedhjeve po ndihet i shpërfillur nga sjellja e misionit të OSBE-së në Kosovë që ka marrë përsipër të lehtësoj procesin zgjedhor në veri pas marrëveshjes së arritur në Bruksel.
Vetë kreu i këtij organi Valdete Daka ka thënë sot se nuk e di çfarë po ndodhë me procesin zgjedhor ne veri.
Edhe unë jam e interesuar të dijë çka po ndodhë me procesin zgjedhor në veri. Personalisht kam kërkuar nga ambasadori i OSBE-së një raport për veri, por deri më tani nuk kam marrë asgjë të shkruara, ka thënë Daka.
Kritika për OSBE-në kanë pasur edhe anëtarët e KQZ-së.Ilir Gashi nga PDK ka thënë se OSBE e ka për detyrë të njoftojë organin e zgjedhjeve për procesin.
Na mungojnë informacionet dhe mendoj që është momenti i fundit që OSBE të vij dhe të na njoftojë për gjithë rrjedhën e procesit se si ka shkuar në atë pjesë, ka thënë Gashi.
Florian Dushi nga Lidhja Demokratike ka thënë se ekzistojnë dyshime të bazuara se bëhet fjalën për manipulim të votimeve me postë.
Është një formë goxha e papërgjegjshme e OSBE-së karshi institucionit tonë. Ne nuk e dimë për një numër të aktiviteteve që janë zhvilluar atje ose që duhet të zhvillohen atje, ka thënë Dushi.
Të njëjtën kritikë e ka shfaqur edhe përfaqësuesi i Vetëvendosjes Adnan Rrustemi.
Tashmë është nj proces edhe i manipuluar siç u tha. Në radhë të parë i kanë manipuluar emrat dhe persona që i kanë përfshi në listë e votuesve ashtu siç e kanë manipuluar komplet procesin e regjistrimit të tyre si votues, ka thënë Rrustemi.
Misioni i OSBE-së deri më tani nuk ka dhënë ndonjë sqarim rreth dërgimit të fletëvotimeve me postë.
Gjithashtu Në vazhdim të mbledhjes, KQZ shqyrtoi dhe miratoi raportet e mbledhjeve nr. 52, 53 dhe 54 të vitit 2013. Në pikën e dytë të rendit të ditës, KQZ mori vendim për zëvendësimin e ish anëtarit të KQZ-së, z. Goran Zdravkovic ,me anëtarin e ri z. Nenad Rikalo, në Këshillat e KQZ-së.
Në pikën e tretë të rendit të ditës, Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, z. Enis Halimi paraqiti aktivitetet e SKQZ-së. Z. Halimi, njoftoi KQZ-së se, ka përfunduar procesi i shtypjes së Listave komunale të votuesve dhe Listave përfundimtare të votuesve. Po ashtu, z. Halimi njoftoi se kanë arritur fletëvotimet nga shtypi, në depon qendrore.
Në pikën tjetër të rendit të ditës, KQZ miratoi rekomandimin e Zyrës për Regjistrim dhe Certifikim të Partive Politike për akreditimin e 6 688 vëzhguesve të Zgjedhjeve Lokale të 3 nëntorit.
Gjatë kësaj mbledhjeje, KQZ shqyrtoi dhe miratoi raportin e Këshillit për Operacione Zgjedhore për zëvendësim të anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve; dhe raportin nëntmujor të shpnezimeve të KQZ-së 2013, nga Këshillit për Buxhet dhe Prokurim.
KQZ mori vendim për ndalimin e fotografimit të votës gjatë votimit në ditën e zgjedhjeve në Republikën e Kosovës, me qëllim të ruajtjes së fshehtësisë së votës.