KQZ ka bërë përgatitjet për balotazh
Prishtinë, 22 nëntor - Komisioni Qendor i Zgjedhjeve ka bërë përgatitjet për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, që do të mbahet me 1 dhjetor. Kështu deklaroi për Radio Kosovën, zëdhënsi i KQZ-së, Valmir Elezi. Në raundin e dytë të zgjedhjeve shkojnë 25 komuna të Kosovës.
Përgatitjet janë duke u zhvilluar në bazë të dinamikës së paraparë me Planin Operacional për Raundin e Dytë të Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave. Tashmë, KQZ ka certifikuar Rezultatin Përfundimtar për Kryetarë të Komunave si dhe ka vendosur që nga 25 deri më 29 nëntor, dmth 5 ditë, subjektet politike të mund të bëjnë fushatë para këtij raundi.
Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, do të zhvillohet në 25 komuna të Kosovës. Kandidatë të subjeketeve të ndryshme politike do të garojnë për pozitën e të parit të komunës, për një mandat 4 vjeçar. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi jep detaje tjera, rreth balotazhit.
Në 25 komuna të Republikës së Kosovës do të mbahet ky raund, në gjithsej 594 Qendra të Votimit me 1 816 Vendvotime. Numri i votuesve në Listën Përfundimtare të Votuesve në këto 25 komuna është: 1 371 524 , theksoi ai.
Ndryshe më 1 dhjetor, përveç raundit të dytë për kryetarë të komunave, do të përsëriten votimet e raundit të parë edhe në 3 Vendvotime në Komunën e Zveçanit, bënë të ditur zëdhënësi Elezi.