KQZ gati për zgjedhjet e 1 dhjetorit
Prishtinë, 27 nëntor - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mbajti mbledhjen e 79-të për vitin 2013 të kryesuar sipas radhës nga anëtari i KQZ-së, Bajram Ljatifi.
Në këtë mbledhje, Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi njoftoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për përgatitjet për Raundin e Dytë të Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave që, do të mbahet më 1 dhjetor 2013 në 25 komuna.
Halimi, bëri të ditur se ka përfunduar sesioni i tajnimit të Këshillave të Vendvotimit dhe se, është rekrutuar gjithë stafi teknik dhe ekipet mobile që do të punojnë në ditën e zgjedhjeve.
Po ashtu, Kryeshefi Ekzekutiv i SKQZ-së, njoftoi KQZ-në se Divizioni i Shërbimit të Votuesve me datë 22 nëntor ka përmbyllur procesin e dërgimit të pakove me fletëvotime për votuesit jashtë vendit.
Numri i votuesve jashtë Kosovës që do të kenë mundësi të votojnë përmes Operacionit të Votimit përmes Postës për Raundin e Dytë të zgjedhjeve për kryetar komune, më 1 dhjetor 2013, është: 11 738 votues.
Në pikën tjetër të rendit të ditës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi rekomandimin e Zyrës për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim për akreditimin e 265 vëzhguesve shtesë.
Zyra konstaton se dokumentacioni i aplikimit për akreditim të vëzhguesve, është i kompletuar konform Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme; Ligjit për Zgjedhjet Lokale, dhe Rregullave të KQZ-së.
Po ashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për lejimin e votimit me kusht për rivotimin në tri Vendvotime në Komunën e Zveçanit që, do të mbahet më 01 dhjetor 2013. Sipas vendimit, votimi me kusht u lejohet vetëm votuesve të cilët janë të regjistruar në Listës e Votuesve në tri Vendvotime në të cilat do të përsëritet votimi.