KQZ do ti ndërmarrë të gjitha hapat për përgatitjen e zgjedhjeve
Prishtinë, 8 maj - Pas shpalljes nga Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga të Zgjedhjeve të Parakohshme parlamentare më 8 qershor, Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, znj. Valdete Daka, ka deklaruar në një konferencë për media të mbajtur në selinë e KQZ-së se, në kuadër të kompetencave kushtetuese, KQZ do ti ndërmarrë të gjitha hapat ligjor për përgatitjen e këtyre zgjedhjeve.
Presidentja e Republikës së Kosovës, ka dekretuar datën 8 qershor si datë të mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në kuadër të kompetencave kushtetuese do ti ndërmarrë të gjitha hapat ligjor për përgatitjen e parakohshme të zgjedhjeve parlamentare me të vetmin qëllim që këto zgjedhje të jenë fer, të lira, demokratike dhe sipas standardeve ndërkombëtare. "
"Ne si KQZ do të bashkëpunojmë edhe me institucionet e tjera relevante për përgatitjen e zgjedhjeve, ndërsa presim nga subjektet politike që të respektojnë Kushtetutën e Republikës së Kosovës; Ligjet të cilat janë në fuqi, si dhe Rregullat Zgjedhore. Po ashtu, presim që subjektet politike të jenë të vëmendshme dhe të japin kontributin e tyre për mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve", ka theksuar Daka.
Gjithashtu, ajo ka thënë se presin në këto zgjedhje të kemi një numër të madh të vëzhguesve vendor e ndërkombëtar.
"Me këtë rast, të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës u dëshirojmë zgjedhje të suksesshme, e po ashtu edhe subjekteve politike të cilat do të certifikohen për këto zgjedhje nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka thënë znj. Daka.