KQZ certifikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në Drenas
Prishtinë, 8 dhjetor - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e rregullt, të kryesuar sipas radhës nga anëtari i KQZ-së, Sami Hamiti ku u certifikuan Rezultatet Përfundimtare të Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Drenasit.
Në këtë mbledhje, u bë e ditur se në institucionet përkatëse nuk ka pasur asnjë ankesë lidhur me Rezultatet Përfundimtare të publikuara dy ditë më herët.
Në këtë mbledhje, KQZ-ja mori vendim edhe për miratimin e dizajnit, përmbajtjes dhe formatit të Fletëvotimit për Raundin e Dytë të Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme për Kryetar Komune në Drenas (Gllogoc), që do të mbahet më 18 dhjetor 2016.
Sipas vendimit të KQZ-së, Fletëvotimi, ndër tjerash, përmban: logon e KQZ-së; emrat e subjektit politik përkatësisht kandidatëve siç janë paraqitur në aplikimin për certifikim së bashku me numrin rendor; dhe tekstin udhëzues shënjoni vetëm një kandidat.