KQZ certifikoi listën përfundimtare të votuesve në Graçanicë

Prishtinë, 13 janar - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e dytë në vitin 2015 të kryesuar nga kryetarja e KQZ-së, znj. Valdete Daka.
Gjatë kësaj mbledhjeje, KQZ certifikoi Listën Përfundimtare të Votuesve për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Graçanicës, e cila përmban 20 229 emra të votuesve, me një rritje prej 606 votues apo 3.09% në krahasim me zgjedhjet e fundit për të njëjtën komunë.
Numri i Qendrave të Votimit është 10, ndërsa numri i Vendvotimeve është 27.
Po ashtu, KQZ miratoi Planin Operacional për Ditën e Zgjedhjeve të datës 18 janar në komunën e Graçanicës.
Në pikën tjetër të rendit të ditës, KQZ miratoi rekomandimin për akreditimin e Grupit të II-të të vëzhguesve për këto zgjedhje, me gjithsej: 198 vëzhgues.