KQZ: Certifikimi i kandidatëve, pas verifikimit
Prishtinë, 16 janar - Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit do të marrin pjesë 21 parti politike, dy koalicione parazgjedhore dhe pesë iniciativa qytetare. Numri i përgjithshëm i kandidatëve për këto zgjedhje është 1.079, njoftoi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi bëri të ditur se deri më 18 janar, ky institucion do të dërgojë për verifikim në gjashtë institucione, listat e kandidatëve për deputetë, në mënyrë që më pas kandidatët të certifikohen.
“KQZ-ja do të dërgojë kërkesë për verifikim nëse kandidatët janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe këtë kërkesë do ta dërgojë në gjashtë institucione: në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, në Ministri të Punëve të Brendshme, në Agjenci të Kosovës për Inteligjencë, në Ministrinë e Jashtme dhe atë të Mbrojtjes”, tha Elezi, duke shtuar se presin që nga këto institucione të marrin përgjigje deri më 20 janar.
KQZ-ja tha se verifikimi do të bëhet për të respektuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të datës 21 dhjetor si dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.
Në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se një person i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të ketë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Kosovës.