KQZ anulon zgjedhjet në tri qendra të votimit në Veri
Prishtinë, 6 nëntor - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e 68-të për vitin 2013 të kryesuar nga kryetarja e KQZ-së, znj. Valdete Daka.
Në këtë mbledhje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shqyrtoi raportin e Qendrës së Numërimit dhe të Rezultateve. Koordinatori i QNR-së, z. Burim Ahmetaj bëri të ditur se QNR është në proces të pranimit të materialit të ndjeshëm nga gjithë Kosova.
Gjatë kësaj mbledhjeje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi sipas rekomandimeve nga QNR, si miratimin e rekomandimit të QNR-së për hapjen e kutive të votimit me qëllim të marrjes së materialeve të cilat gjenden në këto kuti të votimit, për katër komuna: Mitrovicë e veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
KQZ vendos se pas hapjes së kutive të votimit dhe konstatimit të gjendjes faktike, të bëhet numërimi i fletëvotimeve tek të cilat konstatohet se mund të bëhet një gjë e tillë.
Po ashtu, KQZ miratoi rekomandimin e QNR-së për anulimin e zgjedhjeve lokale të 03 nëntorit 2013, për vendvotimet e tri Qendrave të Votimit në komunën e Mitrovicës veriore për shkak të dëmtimit të kutive të votimit.
Vendimi për datën e rivotimit në këto tri Qendra të Votimit do të merret me kohë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.