KQZ akrediton 7029 vëzhgues
Prishtinë, 12 tetor - Në mbledhjen e 57-të për vitin 2013, të kryesuar nga kryetarja Valdete Daka, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar 7029 vetë për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 3 nëntor.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi rekomandimin e Zyrës për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim për Akreditim të Vëzhguesve për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës.
Raporti përmban rekomandimin për akredimin e 7029 vëzhguesve për Zgjedhjet Lokale të 3 nëntorit.
Në bazë të nenit 54 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe nenit 19 të Ligjit për Zgjedhjet Lokale në Kosovë dhe nenit 3 të Rregullës Zgjedhore Nr. 07/2013 për Vëzhguesit e Zgjedhjeve, Zyra më 10 tetor 2013 ka proceduar aplikacionet e vëzhguesve të procesit zgjedhor për Zgjedhjet Lokale të katër subjekteve politike dhe dy Organizatave Ndërkombëtare dhe të një Ambasade.
Anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e kanë vlerësuar shumë të rëndësishme praninë e vëzhguesve në zgjedhje, që mbahen në 38 komuna në Kosovë.
Zgjedhjet lokale më 3 nëntor në Kosovë, për të parën herë, pritet të shtrihen edhe në pjesën veriore të Kosovës.