KQZ akreditoi vëzhguesit vendor e ndërkombëtare
Prishtinë, 6 janar - Komisioni Qendror Zgjedhor sot akreditoi vëzhguesit për rivotimin në Drenas, Skenderaj dhe Deçan dhe pjesërisht në Malishevë e Lipjan më 9 janar. Numri i vëzhguesve të akredituar ka arritur ne mbi 1 mijë.
Në njoftimin e KQZ-së bëhet e ditur se PDK do të ketë 307 vëzhgues, LDK 224, AAK 130, FER 14 vëzhgues, koalicioni AKR-PD-PSD-PPI-PPK-PNDSH-PGJK 6 vëzhgues; koalicioni VAKAT 13 vëzhgues, LDD 50 vëzhgues.
Organizata joqeveritare Ngrite Zërin edhe Ti do të ketë 85 vëzhgues, Parlamenti Evropian 2 vëzhgues, Misioni i Ekspertëve për Zgjedhje (EUEEM) 5 vëzhgues. Vëzhgues do të ketë edhe nga ambasadat e huaja në vend dhe nga institucionet ndërkombëtare të pranishme në Kosovë.
KQZ bëri emërimin edhe të menaxherëve të ri të qendrave të votimit për komunën e Drenas-it, Skenderaj-it, Deçan-it, dhe në një qendër votimi në Lipjan dhe Malishevë.
Ndërkaq, mediat raportojnë se është miratuar kërkesa nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave për buxhet shtesë prej 400 mijë eurosh për rivotimin e 9 janarit.