KQZ: 1.265 kandidatë garojnë për 120 vende
Prishtinë, 10 dhjetor - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar listën përfundimtare të votuesve për zgjedhjet e 12 dhjetorit, sipas të cilës të drejtë vote kanë 1 milion e 630 mijë e 636 persona, prej tyre 73.288 do të votojnë për herë të parë.
Në ditën e zgjedhjeve do të jenë 35.735 persona që do të mbushin 18-vjeç dhe të cilët kanë mundësi të votojnë në gjithsej 746 qendra votimi.
Sipas KQZ-së janë gjithsej 34.521 qytetarë që kanë ndryshuar adresën e vendbanimit kurse nga lista e votuesve si persona të vdekur janë fshirë 6.165 veta.
Në zgjedhje garojnë 29 subjekte politike, ndërsa numri i kandidatëve që do të luftojnë për 120 ulëse në Kuvendin e Kosovës do të jetë 1.265.
Numri i vëzhguesve të akredituar nga KQZ-ja është 32.021, prej të cilëve 26.059 nga partitë, 493 nga organizatat ndërkombëtare, 531 nga ambasadat dhe 5108 nga OJQ-të.