KPJ: qasja e qeverisë për bisedimet është shqetësuese
Prishtinë, 26 shkurt - Klubi për Politikë të Jashtme(KPJ) po e përcjell me shqetësim aktivitetin e qeverisë së re të Kosovës rreth procesit të bisedimeve të paralajmëruara me Serbinë.
Mënyra se si qeveria po i qaset këtij procesi sipas KPJ-se ngrit shqetësime serioze për ecurinë e tij, por mbi të gjitha për pasojat që do të mund të prodhohen në raport me interesat shtetërore.
Klubi ka vlerësuar se i tërë procesi i bisedimeve duhet të jetë konsensual dhe duhet ti nënshtrohet verifikimit të Kuvendit të Kosovës.
Nisja e takimeve të para negociatore dhe emërimi i zyrtarit që do ti prijë bisedimeve, tregojnë se Thaçi ia ka mësyrë këtij procesi pa përfillur opozitën dhe pa përfillur Kuvendin e Kosovës. KPJ konsideron se Kuvendi i Kosovës është vendi ku procesi negociator duhet fillimisht të diskutohet e më pas të aprovohet fillimi i tij.
Kosova tanimë ka një traditë të vendosur të unitetit të forcave politike, qofshin ato në pozitë apo opozitë, në funksion të interesave shtetërore kur është fjala për bisedimet e me Serbinë.
Devijimi nga kjo formë e vendimmarrjes paraqet degradim të një standardi të arritur me shumë mund, që potencialisht rrezikon stabilitetin e vendit.
Përvojat e kaluara negociatore të Kosovës kanë dëshmuar për pozicion inferior negociator të Kosovës si pasojë e mungesës së platformës së shkruar.
Deri në këtë moment, opinioni publik i Kosovës e as deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk janë njoftuar për ndonjë përpjekje eventuale të institucioneve shtetërore për të ndërtuar Platformën shtetërore për bisedimet me Serbinë.