Kosumi: Qeveria punoi për interesa të ngushta, Parlamenti ishte cirk
Gjilan, 24 maj - Bajram Kosumi, kandidat i AKRsë për deputet dhe ish -kryeministër i vendit ka thënë se Qeveria e Kosovës ka punuar për interesa të ngushta.
Gjatë një tubimi në Gjilan, ku disa të rinj janë bërë pjesë e AKRsë, Kosumi tha se ekzekutivi e ka lënë anash Anamoravën.
Disa të rinj kanë aderuar në AKR-në e Gjilanit. Para tyre kanë folur përfaqësues të lartë të Aleancës për Kosovë të Re. Fadil Ismajli tha se AKR po rritet çdo ditë sepse në gjirin e saj po vijnë të rinj, kuadro të dëshmuara.
Sipas tij Fadil Ismajlit, programi i AKR-së nuk është i njëjtë sepse është i avancuar dhe në interes të qytetarëve.
Ne kryejmë punë sepse jemi të afërt me shtresat e shoqërisë. AKR ka drejtim të drejtë dhe nuk hynë kthesave të rrezikshme. Ne nuk luajmë me parimet sepse ne kemi guximin, kemi dijen dhe kemi njerëz të luftës e të paqes. AKR po mbledh vlera çdo ditë tha Ismajli.
Ismajli tha se duhet të thuhet mjaft premtimeve boshe, duhet t`i themi stop dukurive që e dëmtojnë Kosovën.
Ndërkaq, Bajram Kosumi tha se Anamorava nuk ka nevojë për rrugë të maleve sepse Gjilani dhe Anamorava ka nevojë për infrastrukturë të mirëfilltë.
Kjo qeveri s`ka vizion sepse ka punuar për interesa të ngushta të njerëzve të saj. Anamoravën për shtatë vite e ka anashkaluar dhe lënë anash. AKR nuk e ka këtë mision, përkundrazi AKR e sheh si vlerë dhe thesar rajonin e Anamoravës tha Kosumi.
Kosumi tha se lista e deputetëve të AKR-së është e mirë dhe ka ekspert, ka njerëz të ditur. Kuvendi i Kosovës ishte një cirk dhe një turp për Kosovën dhe shoqërinë dhe për ne si qytetarë të Kosovës. Ju ftojë që mos ta pranojmë këtë turp që ka ndodhë në institucionet më të larta të Kosovës. Interesin e juaj lidheni me interesin e atdheut dhe ky është kryesori. Ne do të dërgojmë kandidatë më të mirë dhe ta dërgojmë projektin tonë përpara, ka thënë Kosumi. /rajonipress/